Velloja e sistemit zgjedhor

Nga Andrea Cama
Velloja e sistemit zgjedhor

Velloja e paditurisë është një koncept i përdorur dhe zhvilluar nga filozofë të ndryshëm për të zgjidhur dilema morale.

Sipas këtij koncepti, një person i cili ka për detyrë të vendosi rregullat e një shoqërie, vendoset nën një vello e cila nuk e lejon të dijë asgjë rreth vetes, ku në shoqërine e re që ai krijon mund të jetë njeri i lirë, apo skllav, i pasur ose i varfër, si rrjedhoje ai nuk e di se çfarë pasoje do të kenë rregullat e vendosura mbi atë vet.

John Rawls e përdori konceptin e vellos së paditurisë në veprën e tij më të njohur “Një teori mbi drejtësinë” për të hipotetizuar një shoqëri ideale, ku rregullat e shoqërisë zgjidheshin nga individë të cilët nuk e dinin klasën shoqërore ku bënin pjesë.

Duke përdorur konceptin e vellos mund të hipotetizohet mbi dilemën e krijuar mbi sistemin zgjedhor që aplikon Shqipëria.
“Këshilli politik”, një grup jashtë-institucional i formuar nga perfaqësues të opozitës (brenda dhe jashtë parlamentare) dhe qeverisë, ka disa javë që diskuton mbi ndryshime të ligjit elektoral.

Tre nga katër pjesëmarrësit në këshill vijnë si përfaqësues të partive respektive, më saktë përfaqësues të zgjedhur nga kryetarët e partive të tyre, dhe vetëm anëtarja e cila nuk është përfaqësuese partie artikulon kërkesën (të paktën publikisht) për ndryshim të sistemit.

Sistemi aktual zgjedhor shpërndan mandatet e deputetit sipas një renditje paraprake, e cila shpesh herë i bëhet e ditur publikut dhe vetë kandidatëve pak orë përpara afatit përfundimtar të dorëzimit të këtyre listave.

Për kryetarët, të cilët kanë realisht në dorë të ndryshojnë sistemin, sistemi aktual është më i favorshmi, pasi i lejon ata të konsolidojnë drejtimin e partisë duke vendosur se kush do marrë një mandat deputeti, dhe kush do jetë pa mandat duke i mbaruar efektivisht edhe karrierën politike.

Shpërndarja e votave për partinë, i cili është interesi i vetëm i kryetarit mbetet e pandryshuar, duke mos incentivuar asnjë ndryshim.

I vetmi shqetësim i kryetarëve, i dalë qartë edhe nga përfundimet e këshillit politik mbetet numërimi i votës, dhe jo se çfarë përfaqëson vota.

Nëse anëtarëve te këshillit politik (bashkë me ta dhe kryetarëve) do u vendosej një vello paditurie në të cilën do dinin vetëm se do të ishin kandidat, pa ditur rolin e tyre në parti, qëndrimi i tyre karshi sistemit zgjedhor do mund të ndryshonte.

Në sistemin aktual kontributi i një kandidati në parti dhe fushatë elektorale përcaktohet nga një njeri i vetëm.

E vetmja mënyrë për të pretenduar se personat e vendosur në lista janë përfaqësuesit e vërtetë të popullit, do ishte nëse do besonim kryetarët janë në gjendje të jenë plotësisht të informuar mbi preferencat e zgjedhësve dhe të veprojnë me korrektësi mbi këto preferenca.

Dikush nën vello do zgjidhte një sistem ku votuesi ta përzgjidhte përfaqësuesin e tij. Në sistemin aktual, përfaqësuesit e renditur të parët kanë një mandat të sigurt nga momenti i publikimit të listave, pa patur nevojë për zgjedhie.

Fushata që vijon, është thjesht një përballje ku kandidatët e vetëm janë kryetarët, dhe nuk ka asnjë emër tjetër të përveçëm.

Por vello e përmendur mësipër është hipotetike, dhe kryetarët vazhdojnë te vendosin si për sistemin edhe për listat.

Një sistem i ndryshëm i heq kryetarëve mundësinë për të patur kontroll absolut mbi partinë, dhe nuk i jep asnjë avantazh.

Askush nuk mund të thotë me siguri cilin sistem do zgjidhte dikush nën vellon e paditurisë, qoftë ky proporcional me lista të hapura, apo mazhoritar, ama është e vështirë të imagjinosh dikë tjetër veç një kryetari partie të zgjedhi sistemin që kemi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>