Vende për tu vizituar: Thethi

Nga Alice Taylor
Vende për tu vizituar: Thethi

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e famshme për bregdetin mahnitëse, ujin kristal dhe plazhet me rërë të paprekur, por në mendjen time, bukuria e vërtet qëndron në malet e Shqipërisë.

Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, peizazhi shqiptar është i pikturuar nga vargmale malore që kornizojnë pothuajse çdo horizont. Disa janë të mbuluara me pyje të harlisura dhe gjelbërim, disa të tjera qëndrojnë të zhveshura në lavdinë e tyre me gurë, dhe disa fshehin vende të fshehta ku pothuajse mund të harroni ngutjen, nxitimin dhe trazirat e botës së jashtme. Një nga këto vende është fshati i Thethit.

E vendosur në veri të Shqipërisë, Thethi është një vend i largët, i paprekur, i qetë dhe të lë tërësisht pa frymë, të paktën 2 orë larg nga shenja më e afërt e “civilizimit”.

Thethi është shpallur Qendër Historike e Mbrojtur nga qeveria, fshati gjithashtu ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Thethit, një zonë me bukuri natyrore të jashtëzakonshme.

Sipas vendasve, ata të gjithë ndajnë një stërgjysh të vetëm, Ded Nikën. Popullsia në Theth u zhvendos rreth 350 vjet më parë. Ata e bënë këtë në një përpjekje për të ruajtur traditat e tyre katolike në një kohë kur ushtritë osmane po vërshonin në të gjithë vendin, duke vendosur me detyrim fenë islame mbi shqiptarët.

Shkrimtarja dhe antropologia britanike Edith Durham vizitoi Thethin në fillim të Shekullit të 20-të dhe me të drejtë vërejti “Unë mendoj se asnjë vend ku jetojnë qeniet njerëzore nuk më ka bërë përshtypje të tillë të një izolimi madhështor nga e gjithë bota.”

Unë i ndaj pikëpamjet e saj, dhe pasi e vizitova vitin e kaluar, e përshkrova këtë vend si “zemrën e Shqipërisë”.

I ndodhur në një luginë të mbuluar nga një varg malor i thyer dhe gjithëpërfshirës, fshati është i arritshëm vetëm nga një rrugë e vetme, që bëhet vetëm em fuoristradë dhe me një shofer, i cili nuk ka frikë nga lartësitë.

Rruga gjarpëron anëve të maleve, në një anë një humnerë, dhe shkëmb i fortë nga ana tjetër. Ju duhet të paktën 2 orë për të arritur në Theth, pasi të dilni nga rruga kryesore dhe këshillohet që të merrni një udhëzues – pasi të keni ndërmarrë udhëtimin, do ta kuptoni pse!

Thethi mund të vizitohet në fund të pranverës, verës dhe fillimit të vjeshtës sepse gjatë dimrit është i mbuluar nga bora.

Për ata që duan të shkojnë në muajt e dimrit, duhet rreth 6 orë, shumica e vendasve largohen, dhe aty ka pak për të bërë gjatë dimrit.

Turistët mund të qendrojnë në shtëpitë e vendasve, ose mund të bëjnë kamping në kampet e krijuara për ta. Qendra e fshatit ka disa shtëpi, të njohura si hane, një dyqan, një kafene dhe disa shtëpi të shpërndara në të dy anët e lumit.

Nëse ndiqni lumin poshtë do të shihni kishës ikonike të Thethit – subjekt i shumë fotografive të famshme në Instagram. Gjithashtu mund të vizitoni kullën – një dëshmi e kohërave të gjakmarrjes, kur familjet që ishin “në gjak” mund të kërkonin strehim derisa të gjendej një zgjidhje për mosmarrëveshjen.

Bukuri të tjera që mund të shihni përfshijnë ujëvarat e Grunasit, Syrin e Kaltër të Thethit, dhe një muze të vogël etnografik. Ekzistojnë gjithashtu një numër shtigjesh fantastike përreth dhe për alpinistin më me përvojë, ekziston një shteg i mrekullueshëm (ose kështu më është thënë) që ju nxjerr nga Thethi në Valbonë, përmes Alpeve Shqiptare.

Përveç ecjes dhe eksplorimit, ka shumë pak për të bërë në Theth përveçse të hani, pini, pushoni dhe të merrni frymë në ajër të pastër. Kjo mungesë e “gjërave për të bërë” është pjesë e bukurisë dhe tërheqjes së vendit dhe është një nga vendet e pakta që kam qenë ndonjëherë ku kam ndjerë se mund të largohesha vërtet nga e përditshmja.

Thethi është një oaz qetësie dhe një perlë e vërtetë e fshehur, e vendosur në malësitë e Shqipërisë. Nëse vini në Shqipëri, dhe nuk vizitoni Thethin, atëherë nuk keni parë asgjë nga ky vend i mrekullueshëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>