Liderë të vendeve më zhvilluara të botës dhe prodhuesit e mëdhenj të ilaçeve premtuan të premten të bënin më shumë për të kapërcyer hendekun e madh që është krijuar në luftimin e COVID-19, mes vendeve të pasura dhe atyre që nuk kanë mundësi për të blerë doza vaksinash.
Deri më tani, rreth 1.53 miliardë doza vaksinash kundër COVID-19 janë shpërndarë globalisht, por vetëm rreth 1% e tyre në Afrikë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
“Ne duhet të ulim kokën të turpëruar,” tha Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, një nga drejtuesit samitit të veçantë për pandeminë, të organizuar nga Italia dhe Komisioni i Bashkimit Evropian.
Në deklaratën e tyre përfundimtare, udhëheqësit bënë thirrje për licensim vullnetar dhe transferime të teknologjisë për të rritur prodhimin e vaksinave. Por nuk pati konsensus për një nxitje që kompanitë farmaceutike të heqin dorë nga patentat e vaksinave.
Sidoqoftë, Pfizer dhe BioNTech u zotuan të vendosin në dispozicion 1 miliard doza me çmim të ulët brenda vitit për vendet e varfëra. 1 miliard vaksina të tjera do të sigurohen vitin e ardhshëm, tha shefi i Pfizer Albert Bourla.
Johnson & Johnson i premtoi 200 milion doza të vaksinës instrumentit COVAX, një program për shpërndarjen e vaksinave i udhëhequr nga OBSH.
Përveç kësaj, BE premtoi 1 miliard euro për të ndërtuar qendra prodhuese të vaksinës në Afrikë.
“Ne duhet të vaksinojmë botën dhe ta bëjmë atë shpejt,” tha Kryeministri italian Mario Draghi.
Presidenti i Kinës Xi Jinping premtoi 3 miliard dollarë ndihmë gjatë tre viteve të ardhshme për të ndihmuar vendet në zhvillim të rikuperohen dhe propozoi krijimin e një forumi ndërkombëtar për të promovuar shpërndarjen e drejtë të vaksinave.
Presidenti i SHBA Joe Biden la zëvendësen e tij, Kamala Harris, të flasë në emër të tij. Administrata e tij ka mbështetur thirrjet nga shumë vende në zhvillim për heqjen dorë nga patentat e formulës së vaksinës, me shpresën se kjo do të rriste prodhimin dhe do të lejonte shpërndarjen më të drejtë.
Sugjerimi është kundërshtuar nga disa vende evropiane, të cilët në vend të kësaj kanë bërë thirrje për heqjen e barrierave tregtare të SHBA që ata i konsiderojnë pengesat kryesore.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Evropa do të dhuronte të paktën 100 milionë doza për vendet e varfra deri në fund të vitit, duke përfshirë 30 milionë nga Franca dhe 30 milionë nga Gjermania.
Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeroi një plan 50 miliard dollarë për t’i dhënë fund pandemisë duke vaksinuar të paktën 40% të të gjithë njerëzve deri në fund të vitit 2021 dhe të paktën 60% deri në gjysmën e parë të 2022.
Filantropisti amerikan Bill Gates tha se më shumë se 80% e një miliardë dozave të para të vaksinave shkuan në vendet e pasura, kundrejt 0.2% për shtetet e varfra. “Nëse nuk e mbyllim këtë hendek të madh, më shumë njerëz do të vdesin. Ka dy veprime të menjëhershme që vendet mund të ndërmarrin: të shpërndajnë dollarë dhe doza,” tha ai.