Vendimet e pavlefshme të KED-së janë marrë me mbështetjen e EURALIUS

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Vendimet e pavlefshme të KED-së janë marrë me mbështetjen e EURALIUS

Vendimet e marra gjatë mbledhjes së 15 janarit të Këshillit “të Përkohshëm” të Emërimeve në Drejtësi janë të paligjshme dhe të pavlera. Vetëm katër nga nëntë anëtarët e KED-së e kanë kaluar vetingun, ndërkohë që kuorumi ligjor kërkon pesë anëtarë, siç Exit.al sqaroi pak ditë më parë.

Ne theksuam se KED 2019 është në vetvete i paligjshëm, pasi ka patur një sërë shkeljesh gjatë procesit të formimit. Përcaktimi “i përkohshëm”, që kanë zgjedhur t’i vënë vetes, nuk parashikohet në asnjë ligj.

Për më tepër, takimi nuk është shpallur në faqen e internetit të KED-së, dhe procesverbali i takimit nuk është bërë publik, pavarësisht nga kërkesat ligjore të qarta për ta bërë këtë.

KED-ja u formua pa mbaruar ende procesi i vetingut për kandidatët. Siç kam shkruar në dhjetor, i gjithë thelbi i reformës së drejtësisë është të garantojë që të gjitha institucionet e drejtësisë, nga kulmi deri në themel, të jenë “të pastra”. Vetingu është metodë për ta siguruar këtë “pastërti” në institucionet e drejtësisë. Pra, nëse anëtarët e këtyre institucioneve nuk janë plotësisht të rivlerësuar para se të nisin të marrin vendime, as vendimet e tyre nuk do të jenë “të pastra”. Ky pohim është logjik dhe tërësisht në frymën e reformës së drejtësisë.

Megjithatë, ora e vendimit për hapjen ose jo të negociatave me BE-në po afron, ndaj funksionarët e BE-së dhe qeveria e kanë me nxitim.

Në qershor 2018, Exit.al publikoi një dokument konfidencial të brendshëm të BE-së, i hartuar nga misioni i BE-së për ndihmë juridike EURALIUS. Ky i fundit propozonte të anashkalohej vetingu i anëtarëve të KED-së, dhe të zgjidhej një Gjykatë e re Kushtetuese sa më shpejt të ishte e mundur:

 “Ftoj [KED-në] të hartojë me shpejtësi rregullat e brendshme dhe të përpunojë aplikimet. Ligji nuk kërkon që anëtarët [e KED-së] t’i nënshtrohen vetingut; prandaj,nuk ka asnjë pengesë për të vazhduar më tej.”

Megjithatë, Kushtetuta, në nenin 179 (11) qartazi thekson se KED duhet t’i nënshtrohet vetingut “sa më shpejt që të jetë e mundur”:

 “Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji.”

Por, EURALIUS, sugjeroi që ritmi i ngadalshëm i procesit të vetingut duhet të konsiderohet avantazh për KED-në. Ndaj ky i fundit duhet të sistemojë me shpejtësi rregulloren e tij të brendshme dhe të rendisë kandidatët e Gjykatës Kushtetuese, përpara se anëtarë të tjerë të tij të mund të shkarkohen nga vetingu! Kjo është ajo që këshilloi EURALIUS:

 “Rreziku që funksionimi i [KED-së] të pengohet për shkak të shkarkimeve të mëtejshme nga organet e vetingut konsiderohet i ulët, pasi vetingu i magjistratëve të tjerë, përveç magjistratëve prioritarë, duket se ende do të zgjasë dhe për disa javë / muaj. Deri atëherë supozohet se [KED] ka përfunduar vlerësimin dhe renditjen për gjyqtarët e [Gjykatës Kushtetuese].”

Me fjalë të tjera, EURALIUS argumenton se një KED, në të cilin askush nuk është i verifikuar, është më i mirë se një KED, në të cilin të gjithë janë të verifikuar, – sepse në të parin të paktën do të ketë një kuorum që mund të veprojë!

EURALIUS në mënyrë të vazhdueshme ka advokuar për një proces zgjedhor për Gjykatën e re Kushtetuese nga ana e anëtarëve të KED-së që nuk kanë kaluar vetingun. Dhe pikërisht kjo ndodhi dy ditë më parë. Nën syrin mbështetës të EURALIUS-it (shih kartën me emrin e tyre në të djathtë të fotografisë), një KED i përbërë nga një shumicë anëtarësh që ende nuk kanë kaluar vetingun, ndaj janë të papërshtatshëm, filloi procesin për të formuar Gjykatën e re Kushtetuese.

Kjo mund të quhet vetëm tallje me ligjin. Dhe ashtu duhet të quhet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>