
Miratimi i lejes nga KKT për ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar është presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, sipas Partisë Demokratike.
Këshilli Kombëtar i Territorit dha sot lejen për ndërtimin e Teatrit Kombëtar para se Gjykata Kushtetuese të shprehet mbi ligjshmërinë e procesit të ndjekur nga qeveria dhe Bashkia Tiranë që çuan në shembjen e godinës së vjetër.
Përfaqësuesja e PD, Albana Vokshi thotë se marrja e këtij vendimi me nxitim zbulon se interesi për ndërtimin e një godine të re nuk ishte as arti e as kultura por fitimet “nga projekti korruptiv i kullave që do të shërbejnë si lavatriçe e parave të pista të krimit e korrupsionit.”
Vokshi sjell në vëmendje paqartësitë në deklaratat e Bashkisë dhe qeverisë mbi ndërtimin e Teatrit, pasi në fillim u tha se do të ndërtohej me PPP pasi nuk kishte fonde dhe më vonë u tha se do të merrej borxh për të financuar ndërtimin.
“Vendimi i sotëm është një tjetër akt i arbitraritetit, dhunimit të ligjit, gjykatave dhe interesit publik”, shton Vokshi në deklaratën e saj.