Grenell sulmon Kurtin në Twitter, i quan të papranueshme propozimet e tij

Nga Exit News
Grenell sulmon Kurtin në Twitter, i quan të papranueshme propozimet e tij

Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Trump-it për bisedimet Kosovë – Serbi, kundërshtoi vendimin e qeverisë Kurti për heqjen e pjesshme të tarifës 100 për qind ndaj Serbisë.

Përmes një statusi në Twitter, Grenell tha se SHBA-të kanë kërkuar heqjen e plotë të tarifës dhe se ky vendim i Kurtit është i gabuar:

“Qëndrimi ynë është i qartë; tarifat duhet të hiqen tërësisht. Kurti po bën gabim të rëndë dhe kjo i është bërë e qartë presidentit (Hashim) Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë.”

Kryeministri Kurti njoftoi dje se qeveria e tij do të fillojë heqjen graduale të tarifës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina më 15 mars.

Hapi i parë do të jetë heqja e tarifës për lëndët e para që vijnë nga Serbia e Bosnje-Hercegovina. Kurti tha se nëse do të shikohet se dhe Serbia do ta ndalë fushatën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, atëherë më 1 prill Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja.

Por Kurti paralajmëroi se në rast se Serbia nuk tërhiqet nga fushata e saj, atëherë tarifa do të rivendoset sërish.

Duket se vendimi i qeverisë Kurti nuk ka kënaqur as ndërkombëtarët, por as palët brenda vendit.

Ramush Haradinaj,  ideatori dhe kryeministri që vendosi tarifën 100 për qind ndaj Serbisë, reagoi ashpër menjëherë pas vendimit, duke e akuzuar Kurtin si përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia.

Edhe aleatët e Kurtit në koalicionin qeerisës, Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtoi vendimin dhe e quajti atë të pa bashkërenduar me LDK-në.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdulah Hoti tha se “qëndrimi i Kurtit nuk është bashkërenduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës” dhe se “Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë në mbledhjen e qeverisë propozimin e zotit Kurti për heqjen e tarifave.”

Prej vitit 2018 Kosova i ka vënë taksë 100 për qind mallrave serbe dhe boshnjake. Kjo masë u pa si përgjigjie nga qeveria e Ramush Haradinajt ndaj politikave bllokuese që po ndërmerrte Serbia.

Pas vendosjes së taksës Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndërpreu bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Prej 2 vitesh, ndërkombëtarët janë përpjekur të ndërmjetësojnë rinisjen e dialogut dhe kanë kërkuar heqjen e tarifës 100 për qind si e vetmja mundësi për të rinisur bisedimet Kosovë-Serbi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>