
Gjykata Kushtetuese vendosi sot që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit në 2019. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi u shpreh në fund të seancës se uron që në fund vendimarrja t’i shërbej pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.
Padia për zgjedhjet e 30 qershorit u çua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive e kryesuar nga Voltana Ademi.
“Uroj të kemi sa më shpejt një vendim. Institucionet në Shqipëri duhet të respektojnë ligjin”, tha ajo.
Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Bashkive, Jordan Daci u shpreh se është në të drejtën e Gjykatës Kushtetuese për të marrë opinion nga Komisioni i Venecias.
Daci tha se vendimi i Kushtetueses për të shqyrtuar çështjen është tregues që ajo funskionon ndërsa shtoi se përfaqësuesit e qeverisë në seancë, u bënë “qesharakë” dhe u “tallen me të drejtat e çdo qytetari.”