“Nuk do lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral. Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament.”
Kështu deklaroi sot Kryeministri Rama, në një takim me banorët e njësisë 1.
Ky propozim për ndryshim në Kodin Penal është futur me procedurë të përshpejtuar në Kuvend. Sot Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim ndryshimin e propozuar nga deputeti Ervin Bushati dhe vendosi ta kalojë për votim në seancën plenare të 20 qershorit.
Por nëse shumica socialiste i miraton nesër këto ndryshime në Kodin Penal, atëherë ky proces është në shkelje të Kushtetutës.
Sipas Kushtetutës neni 83 pika 3 parashikon se “Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim ligjeve për gjendje të jashtëzakonshme.”
Po ashtu, kjo iniciativë e kryeministrit bie ndesh me te drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Sipas Kushtetutës, “askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.”
Liria e lëvizjes, përveç se një e drejtë kushtetuese, është e parashikuar dhe nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Konkretisht neni 2 i protokollit 4 i KEDNJ përcakton:
“Çdo person është i lirë të largohet nga çdo vend, duke përfshirë të tijin.”
Kufizimi i kësaj të drejte sipas Kushtetutës dhe KEDNJ duhet të bëhet vetëm në rastet e caktuara si më poshtë:
– Së pari, kufizimi duhet të bëhet me ligj.
– Së dyti, duhet të jetë për një interes publik.
Gjithashtu ndalimi nuk mjafton të plotësojë dy kushtet e mësipërme, por duhet që të justifikohet dhe me një nga arsyet që përcakton KEDNJ:
– Personi duhet të ketë kryer vepra penale të rënda në cenim të sigurisë së vendit, dënimi i të cilave shkon deri në burgim të përjetshëm.
– Gjykata ndalon lëvizjen jashtë për të parandaluar një krim që personi i dyshuar mund ta kryejë jashtë territorit.
Krimet elektorale konsiderohen krime të lehta ku maksimumi i dënimit të parashikuar në Kodin Penal për to shkon nga gjobë deri në tetë vjet burgim. Po ashtu duhet që me anë të masës së ndalimit të parandalohen krime që mund të kryhen jashtë territorit të Shqipërisë. Krimet elektorale nuk mund të kryhen jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjithashtu dhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 56 datë 27.07.2016, parashikon se Kryeministri Rama dhe cilido “ligjvënës tjetër duhet të zbatojë mjete të tilla ligjore, të cilat duhet të jenë efektive, domethënë të zgjedhura në mënyrë të tillë që të jenë të përshtatshme për realizimin e synimeve që ndiqen.”