“Piramida” Qendra Ndërkombëtare e Kulturës do të kalojë në pronësi të Bashkisë Tiranë. Qeveria ka miratuar dje një vendim, i cili e zhvendos pronësinë e godinës dhe truallit të saj nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Sipas VKM-së së re, “Piramida” do të përdoret nga Bashkia e Tiranës si “një qendër multifunksionale për organizimin e shfaqjeve sociale dhe për promovimin e artit, kulturës dhe teknologjisë.”
Ky vendim i qeverisë e bën më të lehtë vendimarrjen për prishjen dhe ndryshim e statusit të “Piramidës”. Nëse më parë vendimmarrja për këtë objekt duhej të kalonte në Këshillin e Ministrave tani ajo mbetet vetëm në dorë të kryetarit të Bashkisë.
Piramida u hap për herë të parë në 14 tetor të vitit 1988 si muzeumi i diktatorit Enver Hoxha.
Gjatë viteve 1990, ajo ka funksionuar si disko, studio televizive, në disa raste edhe si vend për ekspozita dhe panaire.
Në vitin 2008, qeveria Berisha u përpoq ta kthente piramidën në një teatër multifunksional, por projekti nuk përfundoi asnjëherë.
Në nëntor të vitit 2010, sërish qeveria Berisha vendosi për prishjen e piramidës për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit.
Ky vendim u kundërshtua fort nga Edi Rama, atëherë kryetar i opozitës, i cili u shpreh se:
Në cilësinë e një njeriu të kulturës dhe të artit, që nuk e pranoj dot talebanizmin në raport me objektet, sepse i çfarëdo kohë qoftë dhe me çfarëdo arsye u motivoftë është talebanizëm. Talebane është edhe e kundërt. Pra të bësh atë që bënte Enver Hoxha me trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij vendi.
Ju po e bëni njësoj si gjenerali serb, që kur u shemb ura Mostarit tha, mos u mërzisni dhe mos shqetësohet bota, do ta bëjmë edhe më të bukur, do ta bëjmë edhe më të vjetër.