Vendimi i gjykatës ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe krahut të djathtë të Kryeministrit Rama ju ka treguar të gjithëve se si duket një drejtësi e kapur.
I akuzuar për pjesmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge, Tahiri — pas diskutimeve të gjata mes gjyqtarëve— u dënua për një krim krejtësisht tjetër, shpërdorim detyre. Ai u dënua me 3 vjet e katër muaj burg.
Qeveria Rama bëri çdo gjë që kishte në dorë për të penguar hetimin e Tahirit. Një nga denoncuesit kryesor kundër Tahirit, shefi i policisë Dritan Zagani u arratis nga vendi dhe kërkoi azil politik në Zvicër, ndërsa makina qeveritare e përbaltjes përdorte gjithë pushtetin kundër tij sa herë që ai jepte dëshmi publike.
Parlamenti nuk miratoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të arrestuar Tahirin duke penguar hetimin dhe kontrollin e banesës së tij, duke i dhënë kohë Tahirit të shkatërronte provat, ndërkohë që e ktheu parlamentin në gjykatë që mori vendim paraprak mbi fajësinë e tij.
Gjithashtu, pasaporta që ju bllokua fillimisht më pas iu kthye, duke e lejuar të udhëtonte jashtë vendit. Pas kësaj, Parlamenti amendoi rregulloren e tij për të shtuar imunitetin e deputetëve ndaj hetimeve të prokurorisë të Posaçme të Antikorrupsionit (SPAK).
Më pas, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku e emëruar në shkelje të Kushtetutës nga shumica socialiste, hoqi prokurorin kryesor të çështjes Besim Hajdarmataj, pa asnjë justifikim.
Çështja Tahiri ishte prova për drejtësinë e reformuar dhe tani duket qartë se reforma nuk ka sjellë ndryshimin e premtuar.
Përpara fillimit të saj, mbështetësit e reformës argumentuan se frika nga vetingu do t’i detyronte gjykatësit për të përmirësuar vendimarrjen e tyre duke respektuar ligjin, nga frika që të mos shkarkoheshin nga komisioni i vetingut.
Vendimi i djeshëm tregon se gjyqtarët kanë një frikë më të madhe se sa vetingu, frikën nga politikanët dhe nga kriminelët e lidhur me to.
Shqiptarëve iu premtua se drejtësia e re do të kapte “peshkun e madh” dhe çështja Tahiri pritej të ishte e para. Në vitin 2017, ish ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi: “më lejoni të them dy fjalë në lidhje me polemikat aktuale rreth ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend”.
Në vitin 2018, Ambasada Amerikane deklaroi:
Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë. #KushEKaRradhën
Ne do të shohim tani se si engjëjtë mbrojtës të reformës në drejtësi do ti përgjigjen kësaj tallje me drejtësinë, një dënim për të cilin Tahiri as nuk ishte akuzuar.
Në një moment mendova se qeveria e Ramës do të ëprdorë çështjen Tahiri për të trumpetuar arritjet e saj në reformën në drejtësi duke lejuar dënimin e tij me 12 vjet burg.
Mendova se qeveria do ta përdorte dënimin e tij si një argument për të hapur bisedimet me BE, në tetor, pas hapjes së të cilave, Tahiri do të lirohej nga gjykata e Apeli.
Problemi me këtë skenar është se gati të gjtihë gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda e kanë kaluar vetingun, ndërsa gjykatësit e gjykatave të niveleve të ulta ende duhet të kalojnë vetingun.
Ndoshta ishte rrezik i madh një vendim i rëndë ndaj Tahirit me shpresën se do e konfirmonte edhe apeli.
Ose ndoshta Rama u frikësua shumë nga Tahiri — i cili ka bërë aludime për të gjatë gjithë procesit gjyqësor për çfarë mund të zbulojë.
Një dënim për shpërdorim detyre i kthyer në liri me kusht duket se i kënaq të gjithë: Tahiri është i lirë, ndërsa Rama prapë mund të thotë se reforma në drejtësi, në një farë mënyre funksionoi.
Meqe ra fjala, të mos harrojmë se avokati i Tahirit, Maks Haxhia ka qënë pjesë e komitetit drejtues të EURALIUS për hartimin e reformës në drejtësi. Ndërsa Dhoma Kombëtare e Avokatisë e drejtuar nga Haxhia, së fundmi ka përfituar 11 milionë euro nga qeveria duke i shitur asaj godinën e papërfunduar dhe tokën e dhënë nga qeveria për ndërtimin e Shkollës së Avokatisë, në shkelje të ligjit. Deri më tani askush nuk është ankuar.
Pra si përfundim, çështja gjyqësore e Tahirit dhe vendimi ndaj tij është një miniaturë e efekteve të reformës në drejtësi: një sitemit drejtësie i kapur nga politika dhe krimi; një system ku peshku i madh noton i lirë, ndërsa peshqit e vegjël kalojnë shumë ditë në paraburgim nën kushte çnjerëzore dhe degraduese (sipas këshillit të Evropës); një sistem në të cilin avokatët e profilit të lartë kanë punë të dytë sekserin e pasurive të paluajtshme të qeverisë.
Mezi po pres mesazhin nw Twitter të ambasadorit Luigi Soreca që lavdëron arritjet e reformës në drejtësi.