Kolegji Zgjedhor vendosi sot se numëruesi i tretë në tavolinat e grupeve të numërimit (GNV) do të jetë i LSI-së. Me këtë vendim Kolegji pranoi ankimimin e LSI-së kundrejt vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarje të numëruesit të tretë ndërmjet LSI-së dhe PDIU-së. Tani PDIU duhet të përfshihet në shortin që do të hedhë KQZ për anëtarin e katërt të GNV-ve për partitë opozitare.
Lëvizja Socialiste për Integrim paditi më 15 qershor në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e anëtarit të tretë të Grupit të Numërimit të Votave (GNV) me PDIU-në.
LSI duke u bazuar në nenin 96, pika 1 e Kodit Zgjedhor arsyetoi se anëtari i tretë i GNV-ve i takon kësaj partie si e vetmja parti e shumicës qeverisëse e dalë nga zgjedhjet e 2013.
Pretendimin e saj LSI e mbështeti në faktin se PDIU në zgjedhjet e 2013 kanë qenë e regjistruar si parti e koalicionit humbës.
Por, për një çështje me objekt të njëjtë, të paraqitur nga PDIU gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2015, Kolegji vendosi ndryshe.
Në zgjedhjet e vitit 2015, PDIU kërkoi të marrë pjesë në shortin për anëtarin e katërt të GNV-ve i emëruar nga partitë e opozitës. Por Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë padinë e PDIU-së me vendimin Nr.19, datë 8 qershor 2015 me arsyetim se PDIU tashëm ishte pjesë e koalicionit qeverisës, e si pasojë ajo duhet të përfshihej në partitë e shumicës. Në vendim shkruhej se:
Është fakt se paditësi PDIU, aktualisht është parti e shumicës qeverisëse, dhe si e tillë asaj i lind e drejta të propozojë për anëtarin e tretë të GNV, në hedhjen e shortit, kërkim nga i cili është hequr dorë gjatë gjykimit;
Pala paditëse PDIU, duke qënë një parti e shumicës qeverisëse, nuk legjitimohet që të kërkonte të bënte propozimin e anëtarit të katërt që i përket partive të opozitës që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të GNV-së, për KZAZ-ë sipas procedurës së parashikuar në nenin 96 të Kodit Zgjedhor;
Ky rast është një shembull konkret se si gjyqtarët në Shqipëri veprojnë me standarte të dyfishta. Tani pritet të zbardhet vendimi i Kolegjit Zgjedhor për tu parë se ku e kanë mbështetur arsyetimin gjykatësit.
Padia e LSI-së u gjykua nga gjyqtarët Lindita Sinanaj, Gjin Gjoni, Tomorr Skreli, Shkëlqim Mustafa dhe Sotiraq Lubonja.