Komisioni i Venecias mendon se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë miratuar në mënyrë të nxituar, pa u konsultuar me palët dhe duhen vlerësuar nga gjykata Kushtetuese, nëse janë apo jo kushtetuese.
Në një raport paraprak bërë publik mesditën e së mërkurës, Komisioni i Venecias shkruan mbi tre shqetësime kryesore:
- Kushtetuetshmëria e ndryshimeve duhet bërë nga Gjykata Kushtetuese;
- Procedura e ndjekur për miratimin e tyre është ‘jashtëzakonisht e nxituar’;
- Ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
“Komisioni i Venecias dhe ODIHR shpreh keqardhjen që procedura për miratimin e ndryshimevë në Kushtetutë si dhe në Ligjin Nr. 118 ishin jashtëzakonisht të nxituara. Një konsultim i gjerë midis aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar kohën e nevojshme, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre teksteve themelore,” shkruan Komisioni i Venecias.
Ndërsa për çështjen e Kushtetueshmërinë, KV shkruan:
“Çështja e kushtetutshmërisë së 1) procedurës për rishikimin e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor dhe 2) përmbajtja e disa elementeve të legjislacionit të rishikuar u ngrit gjatë diskutimit. Sipas praktikës së tyre të vazhdueshme, Komisioni i Venecias dhe ODIHR nuk do adresojnë këtë çështje, por do të përqendrohen në krahasimin e teksteve të paraqitura me standardet ndërkombëtare.”
Sipas dokumentit të publikuar, Komisioni i Venecias dhe ODIHR para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021, kanë rekomanduar të bëhen këto gjëra:
Partitë të dialogojnë për zbatimin e logjit zgjedhor në kohë:
“Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë.”
Partitë politike duhet të sqarojnë ndikimin e ndryshimeve në zgjedhje:
“Ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato.”
Të mos ndryshohet kufiri i zonave zgjedhore para zgjedhjeve:
“Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet.”
Kryetarët e partive politike të mos kandidohen në më shumë se 1 zonë zgjedhore:
“Liderët e partive politike të ndalohen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale.”
Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.
Ndërsa në një kohë më të gjatë, pas zgjedhjeve të 2021-it, KV rekomandon që:
Të shfuqizohet mundësia që liderët e partive politike të konkurrojnë në disa zona elektorale;
Të respektohen të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicionit;
T’i jepet mundësia kandidatëve individualë të paraqesin për vendin e caktuar në listën e deputetëve;
Të përcaktohet pragu për zgjedhjet vendore në nivel bashkie, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;
Të rishikohet nenin 67 (4) i Kodit Zgjedhor në mënyrë që partië e vogla të mos jenë të detyruara të paraqesin një listë me kandidatë aq sa vende ka në Kuvend zona zgjedhore;
Të shqyrtohet mundësia e heqjes së pragut kombëtar prej 1% për pakicat kombëtare;
Të vazhdohet me zbatimin e rekomanidmeve të OSBE-Odihr.