Presidenti venezuelian Nicolas Maduro njoftoi të hënën se vendi pritet të marrë 5 milion vaksina koronavirus përmes programit COVAX, duke filluar nga muaji korrik.
“(Sistemi) COVAX na ka premtuar më shumë se 5 milion doza të vaksinave për muajin korrik,” tha Maduro në një transmetim televiziv.
Maduro citohet nga Reuters të ketë kërkuar edhe doza të tjera të vaksinës Johnson & Johnson nga sistemi COVAX.
Venezuela njoftoi së fundmi se do të fillonte fushatën masive vaksinimi, duke filluar me vaksinimin e qytetarëve të moshuar.
Ata duhet më parë të jenë pjesë e një sistemi shtetëror të identifikimit të njohur si Karta e Atdheut, që është kritikuar gjerësisht si një sistem që diskriminon në bazë të bindjeve politike.
Qeveria tha se planifikon të shpërndajë rreth 1.3 milion doza në rreth 27 pika vaksinimi në të gjithë vendin, ndërkohë që pretendon se ka marrë rreth 2.7 milion vaksina nga Rusia dhe Kina gjatë vitit.
Më parë, programi COVAX vuri në dispozicion të Venezuelës 2.5 milion doza të vaksinës AstraZeneca, por qeveria ndaloi përdorimin për shkak të shqetësimeve në lidhje me rastet e mpiksjeve të gjakut.
Ky vendim nuk ka ndryshuar edhe mbas përfundimeve të nxjerra nga Autoriteti Evropian i Barnave apo OBSH-ja.
Deri tani vendi nuk ka qënë veçanërisht i prekur nga pandemia Covid-19 dhe qysh nga fillimi i pandemisë ka regjistruar vetëm 3000 vdekje, në raport me një popullsi mbi 28 milionë banorësh.