Krimbi që mbart demokracia në trupin e saj është se zgjedhjet përcaktohen nga imazhi publik dhe jo nga substanca e politikave. Platoni na paralajmëronte për joshjen artificiale nga poetët dhe aktorët. Rusoi deklaronte se aktorët nuk duhen lejuar të garojnë për poste publike pasi teknikat e tyre bindëse mund të topisnin interesin publik. Zhvillimet e fundit teknologjike dhe politike e kanë bërë shumë real këtë rrezik.
Edi Rama dhe grupimi politik Rilindje është një shembull tipik për këtë. Ai erdhi në pushtet në vitin 2017 me një shumicë të pazakontë për sistemin elektoral dhe politik që zbatohet në Shqipëri. Rama është njeriu më i pushtetshëm dhe njëkohësisht njeriu më i famshëm në vend. Dallimi mes famës dhe pushtetit po shuhet me shpejtësi dhe politika në Shqipëri po bëhet diçka që njeriu zgjedh pasi është bërë i famshëm.
Prandaj, sadoqë ideja e vjetër e ardhjes në pushtet për ta ndryshuar Shqipërinë mbetet joshëse, ajo nuk është më e vërtetë për thuajse çdo sfidues të Ramës. Ramën nuk e sfidon dot me hartimin dhe zbatimin e politikave të caktuara. Ai është diku në mes, në një terren të papërcaktueshëm. Ai krijon mbështetje për personin e tij, që të zbatojë vullnetin e tij.
Sekreti që e bën Ramën sundimtar regjimi është se ai e luan rolin e sundimtarit në televizion. Ai nuk është krijesë e ndonjë ideologjie apo partie; nuk ka ndonjë besim të ngulitur apo besnikëri partiake. Ai nuk është as jurist, as ekonomist, as inxhinier, as shkrimtar. Fushatat dhe qeverisja e tij, që janë e njëjta gjë, janë dëfrim i pastër. Rama është krijesë politike e reality show-t dhe mediave sociale.
Reality show dhe media sociale, si dhe fama që ka pjellë martesa e këtyre të dyjave, e kanë thërrmuar realitetin. Tashmë, format më me ndikim të kulturës popullore shqiptare janë ato që krijojnë një trillim të besueshëm që e mbyt realitetin tonë.
Për ilustrim, dallimet mes reales dhe të rremes, autentikes dhe joautentikes ishin kuptuar mirë nga producentët e sportit popullor të wrestling-ut, mundjes artistike. Kjo industri e popkulturës kishte zbuluar se njerëzit ishin të gatshëm të lëshonin ca nga realiteti për pak më shumë autenticitet. Prandaj ky sport, ati dhe mëma e reality show-t, i fshiu këto kufij.
Për shembull, Rama i quan gazetarët kazan, mbrojtës të krimit, hipokritë, parazitë, gënjeshtarë, dembelë, të papërgjegjshëm, idiotë, injorantë, thashethemexhinj, të neveritshëm, kancer, analfabetë, qen, të paetikë etj. Kur socialistët bombardojnë me komente denigruese gazetarët, disa njerëz ankohen se po na kthehet komunizmi. Por ata gabohen, sepse shumica e tyre kanë dëgjuar se si trajtoheshin kritikët e regjimit komunist, por nuk kanë marrë pjesë në ndonjë ndeshje wrestling.
Në botën e trilluar të Edi Ramës, gazetarët nuk janë vrojtues të pandjeshëm të publikut shqiptar, por aktorë në një spektakël autenticiteti. Ata nuk e kanë zgjedhur vetë këtë rol. Aktrimi i gazetarëve është thjesht një fakt i përfytyrimit të tyre në mënyrë të transformuar. Është roli që gazetarët luajnë në dramën e reality show-t. Ajo që ka ndodhur është se drama e reality show-t ka përpirë dramën e politikës.
Mbështetësit e Edi Ramës nuk janë budallenj. Ata e dinë se ajo që po shohin është një performancë. Kënaqësia vjen nga të besuarit e dramës teksa e di që nuk është e vërtetë. Është pak a shumë ndjesia e fëmijës kur sheh një film me dhunë dhe prindërit ia shpjegojnë se ato skena janë thjesht lojë. Edhe mbështetësit e Edi Ramës e shijojnë atë që ai thotë dhe bën, ndonëse mund ta urrejnë atë që ai thotë dhe bën.
Ky është edhe përkufizimi i mendimit të dyfishtë të Xhorxh Oruellit në romanin e njohur “1984”: të tregosh gënjeshtra të qëllimshme ndërsa i beson ato vërtet, të harrosh çdo fakt që është bërë i bezdisshëm, dhe pastaj, kur ai bëhet prapë i nevojshëm, ta nxjerrësh nga harresa për aq kohë sa të nevojitet, të mohosh ekzistencën e realitetit objektiv dhe ndërkohë të marrësh në konsideratë realitetin që mohon.
Opozita shqiptare duhet të kuptojë se, për sa kohë që realiteti dhe iluzioni nuk dallojnë nga njëri-tjetri, asgjë nuk do të ndryshojë. Trajtimi dhe gjykimi i Edi Ramës si politikan nuk funksionon. Trajtojeni si shoumen dhe do të dini si t’i përgjigjeni.
Ngushëllimi se Rama ka mbështetje të ulët në publik është i gënjeshtërt. Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk kanë nevojë për mbështetje. Ata kanë nevojë për vëmendje dhe këtë e arrijnë edhe duke luajtur qëllimisht rolin e personazhit negativ.
Sa për ilustrim, le të shohim fenomenin e skandalit. Për PD-në dhe Bashën duket se sekreti jetik i një politikani është shmangia e skandaleve, ashtu sikundër roli i medias dhe kundërshtarëve është zbulimi i skandaleve. Qeverisja Rama-Veliaj dhe ata personalisht tërheqin pas një tren të stërgjatë skandalesh. Përse kjo nuk i dëmton ata? Sepse skandali është një tokë pjellore për njerëzit e famshëm.Skandali është një armë shumë e fuqishme në betejën për vëmendje.
Si mund ta zgjidhë opozita problemin e njerëzve që zgjedhin iluzionin? Sfida qëndron në faktin se iluzioni dhe realiteti kanë elemente të përbashkëta. Elementi kryesor i përbashkët për këto dy rende është imazhi. Kur politikanët përdorin imazhet për të bindur publikun, me shumë mundësi ata janë duke manipuluar të vërtetën. Prandaj, opozita duhet t’i tërheqë qytetarët nga sfera e imazherisë në rrafshin e realitetit, që është sfera e veprave.
Këtu na vjen në ndihmë një maksimë nga libri i shenjtë i myslimanëve, Kurani, që shprehimisht thotë: erdhi e vërteta dhe u zhduk e pavërteta. Opozita mund ta zgjojë publikun nga iluzioni qeveritar i reality show-t pikërisht duke bërë gjëra të vërteta. Është fatmirësi që opozita nuk është në gjendje ta konkurrojë regjimin Rama-Veliaj në rrafshin e iluzionit. Kjo e bën edhe më të mundshur që ajo të punojë me realitetin.
Cila është shkalla e vërtetë e kapjes së shoqërisë, politikës dhe ekonomisë nga krimi i organizuar? Opozita duhet të thotë pa frikë se ka një listë kriminelësh dhe grupesh që nuk i përmend dot askush, madje as ajo. Mbi këtë kurajë, ajo mund të propozojë një rrugë për daljen nga mafiokracia.
A po shpopullohet me qëllim Shqipëria? Vetëm duke pranuar shpopullimin e qëllimshëm opozita mund të ofrojë një plan për ndaljen e hemoragjisë demografike.
A ka dështuar Partia Demokratike ta dekomunistizojë Shqipërinë? Vetëm pasi të pranojë këtë dështim, PD-ja mund të kërkojë një mandat për ta shpëtuar vendin nga ish-sigurimi i shtetit tashmë në politikë, akademi dhe ekonomi.
A ka kontribuar PD-ja në ngritjen dhe fuqizimin e oligarkisë në Shqipëri? Pasi të bëjë transparente se si e ka ushqyer oligarkinë gjatë qeverisjeve të saj, PD-ja mund të nisë çlirimin e vërtetë të ekonomisë nga monopolet dhe të politikës nga klientelizmi.
Pa u bërë e vërtetë opozita, shqiptarët do të vazhdojnë të parapëlqejnë iluzionin joshës përpara të vërtetës trishtuese.