Veseli thirret në Gjykatën Speciale: I bindur, do të vërtetohet lufta e drejtë e UÇK-së

Nga Gerard Gega
Veseli thirret në Gjykatën Speciale: I bindur, do të vërtetohet lufta e drejtë e UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është thirrur për të dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë të Holandës.

Në një konferencë për shtyp, Zoti Veseli deklaroi se i ishte kërkuar paraqitja pranë Gjykatës më 4 dhjetor:

“Ashtu siç jam zotuar se në momentin që do ta kisha një ftesë (kërkesë) të tillë unë do ta bëja publike […] ky proces duhet të ketë epilog, duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi. Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalojë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe UÇK-ës. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, më 4 dhjetor”.

Veseli ka qenë një nga themeluesit dhe drejtuesit e UÇK-ës, bashkë me Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, apo dhe Fatmir Limajn, të cilët njësoj si Veseli, pas luftës së vitit 1999, vazhduan karrierë politike.

Që pas fundit të luftës, në Kosovë janë ngritur pretendime të ndryshme për krime lufte nga UÇK-ja. Në fillim këto pretendime i mori në shqyrtim administrate e Kombeve të Bashkuara, UMNIK, më vonë misioni i posaçëm i BE-së për siguri dhe drejtësi EULEX dhe vitet e fundit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special, të njohur ndryshe si Gjykata Speciale, organe këto të ngritura me seli në Hagë.

Sipas Deutsche Welle, këto organe nuk kanë mundur të ngrenë akuza konkrete, pavarësisht 700 mijë faqeve materiale të mbledhura më parë nga nismat ndërkombëtare dhe raporti i Dick Marty-it.

Në muajin korrik Gykata Speciale i kërkoi për t’u paraqitur Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen dhe vendosi të paraqitej si Kryeministër në largim, vendim që sipas tij “nuk do të ndikonte për keq në imazhin e shtetit të Kosovës”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>