Veseli thirrje Kurtit, jo manovrime politike me taksën ndaj Serbisë

Nga Exit News
Veseli thirrje Kurtit, jo manovrime politike me taksën ndaj Serbisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli i ka kërkuar Kryeministrit Albin Kurti të mos e heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Në një postim në Facebook, Veseli e cilësoi vendosjen e taksës si “vendim dinjitoz për Kosovën”.

“Taksa […] ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të Kryeministrit të ri për të përmbushur kerkësat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës.”

Taksa ndaj mallrave serbe e boshnjake u vu në vitin 2018 kur PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kryesuar nga Ramush Haradinaj.

Të mërkurën qeveria e re, e formuar nga koalicioni Vetëvendosje-Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK), u shpreh se “do ta kthente taksën në reciprocitet ekonomik dhe politik”.

Mirëpo kryetari i PDK-së, Veseli, kujtoi sot se “një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën” prandaj “nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej Kosovën”.

Veseli i bëri thirrje qeverisë “të mos i dorëzohet Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”.

Më herët një kërkesë të ngjashme për të mos hequr taksën ndaj mallrave serbe ia paraqiti qeverisë së Albin Kurtit edhe ish-Kryeministri Haradinaj.

Përmes një letre të hapur, Haradinaj iu drejtua Kurtit duke thënë se “në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.

Heqja e taksës mbi mallrat serbe konsiderohet nga serbët vendimtare në lidhje me rinisjen e dialogut. Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit Amerikan Donald Trump, i ka kërkuar qeverisë Kurti heqjen saj.

Taksa 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u vendos nëntorin e vitit 2018, nga qeveria e kaluar e Kosovës e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Vendimi erdhi pasi lobimi i Serbisë pengoi anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç vendosi tërheqjen nga bisedimet duke e kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>