Gjykata e Lartë njoftoi sot se vetëm dy kandidatë kanë aplikuar për vendin e parashikuar për një gjyqtar nga një gjykatë apeli jashtë Tiranës, në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Dy kandidatët janë: Brikena Ukperaj, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, anëtare e Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë të vitit 2017, e cili e kaloi vetingun më 25 qershor; dhe Luan Dervishi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër, i cili pret të përballet me KPK-në si kandidat për Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata e Lartë publikoi thirrjen për kandidatët shtesë më 31 korrik, kur u bë e qartë se jo mjaftueshëm kandidatë e kishin kaluar me sukses vetingun. Kjo shpallje për aplikime ishte e diskutueshme, pasi shkelte procedurat e formimit të KLGj-së. Dy javë më parë, Ambasada e SHBA e mbështeti këtë shpallje, duke i bërë thirrje në faqen e saj të internetit “gjyqtarëve të ndershëm, patriotë ” për të kandiduar.
Tani që ky proces ka përfunduar dhe është zbuluar se të dy kandidatët vijnë nga i njëjti grup magjistratësh që kanë aplikuar dhe për poste të tjera, duket qartë se instalimi i organeve të reja të sistemit të drejtësisë po i ngjason gjithnjë e tepër një loje të rrëmujshme ku secili po mundohet të kapë një post.