Duket se Parku i Liqenit, më në fund, do të ketë një kënd të dedikuar për fëmijët. Sigurisht, punimet për të duhet të kishin filluar me leje të mirëfilltë, ai duhet të ishte projektuar pa prerë asnjë pemë, duhet të ishte vendosur mbase diku tjeter, si përshembull tek xhepi, pjesë e parkut poshtë tek diga ku janë karuselet.
Dhe asnjë vendimmarrës i qytetit nuk mund dhe nuk duhet të ankohet apo mburret për një park më shumë për fëmijë, kur hapësira për fëmijë në qytet ka ardhur duke u tkurrur gjithmonë e më shumë.
Në total, ai park i shumëpërfolur, mburrur, sharë, akuzuar, fantastikuar do të jetë rreth 4 mijë m2. Pra, më pak se gjysëm hektari në një park me siperfaqe totale rreth 160 hektarë. Sigurisht është një gjysëm hektari i vyer, në bashë të vendit, aty ku kalojnë të gjithë ata që përdorin parkun. Padyshim, për atë vend duhej të bëhej më e mira. Pse jo të mos bëhej edhe një konkurs ndërkombëtar, dhe ndoshta qyteti të kishte votuar në një referendum se çfarë duhet të bëhet me parkun e vetëm të mirëfilltë që Tirana ka. Dhe sigurisht që leja për këndin e lojrave tek parku i liqenit duhet të ishtë dhënë pasi plani i parkut të ishte miratuar, diskutuar, ekspertizuar dhe promovuar.
Po më mirë që është në zemër të parkut. Se çdo kënd fëmijësh në periferi të parkut, sidomos me mure, sipërfaqe betoni, etj, është shumë më lehtë i gllabërueshëm, e i kthyeshëm në një sipërfaqe të mundshme pallati. Si pallati me tantella m’u buzë digës.
Por le të kthehemi tek thelbi i gjërave: ajo çka duhet të ishte duke u debatuar sot është fakti që bashkia po propozon parqe, rruge të mirëfillta, korsi biçikletash vetëm për qendrën e qytetit, dhe që në vend të kësaj gjendjeje të mjeruar propozimesh, Bashkia duhet te kishte propozuar minimalisht pesë parqe të tilla për fëmijë, nga një për të gjitha zonat e mbingarkuara të Tiranës të madhe—Dajtin, Farkën, Yzberishtin, Don Boscon, të cilat nuk kanë asnjë park për fëmijët, pa folur për mungesën e asfaltit, shërbimeve sociale, shkollore, etj.
Imagjinoni: a mund të ngrihet e gjithë Tirana për të shkuar dhe luajtur në të vetmin kënd të mirëfilltë lojrash tek Parku i Liqenit që Bashkia tashmë po ndërton? Pse nuk propozoi kjo bashki pesë kënde njëkohësisht, për të mbushur boshllëkun e krijuar për kënde lojrash?
Në vend që debati të ishte përqëndruar nëse kjo bashki ka apo jo vizion, ai është përqëndruar tek një sipërfaqe 4 mijë m2, si të ishte ndertimi poshte digës, apo një pallat në bllok.
Dhe nga ky këndvështrim, të gjithë ata që debatojnë, sidomos që kritikojnë këndin e fëmijeve për qëllime në dukje parimore, janë të dyshimtë. Sidomos kur kanë ekspertizën dhe priten të kenë vizionin për të folur për Tiranën e madhe, e jo të ngrenë flamurin e partisë që sapo i ka promovuar për një kënd lojrash tek Parku i Liqenit. Aq më pak kur largohen nga debatet publike, kur në fakt duhet të informojnë publikun me fakte dhe vizione alternative.
Ajo çka i ka munguar debatit publik në rastin e këndit të lojrave tek Parku i Liqenit është mungesa e një kritike të mirëfilltë ndaj anemisë të propozimeve të bashkisë. Energjia e debatit publik është keqpërdorur dhe ata që kanë dalë të humbur janë prapë qytetarët, ose më saktë, fëmijët e qytetit. Si gjithmone në 25 vitet e fundit, këta të fundit kanë dalë të humbur.