Lëvizja Vetëvendosje tha të mërkurën se pret të fitojë 60 deputetë në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Kosovë.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, publikoi një sondazh të kryer javën e shkuar. Sipas këtij sondazhi LVV del parti fituese të zgjedhjeve të ardhshme me më shumë se 50 për qind të votave.
Bislimi tha se kjo parti me pak angazhim mund të fitojë më shumë se 60 deputetë.
Sondazhi që ka publikuar ai nxjerr VV-në fituese me 55 deputetë, e ndjekur nga PDK-ja me 19, LDK-ja me 18 e AAK-ja me 8.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.
Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.
Qeveria Hoti u formua pas rrëzimit të qeverisë Kurti. LVV doli partia e parë në zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në tetor 2019. Por koalicioni mes LVV dhe LDK nuk rezistoi, e për pasojë qeveria Kurti u rrëzua në parlament me 82 vota.
Qeveria e re e Hotit, u formua me anë të koalicionit mes LDK, AAK, Nisma, parti të pakicave si edhe listën serbe.