Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shqyrtimin për shkelje kushtetuese të vendimit të Presidentit Hashim Thaçi për të dekretuar mandatimin e Abdullah Hotit për formimin e një qeverie të re.
Më herët, në një deklaratë për shtyp, Thaçi bëri me dije se kishte dekretuar propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hotin, për Kryeministër të ardhshëm.
Ky mandatim është cilësuar nga Lëvizja Vetëvendosje si shkelje kushtetuese, duke arsyetuar se e drejta e formimit të qeverisë i takon partisë fituese të zgjedhjeve dhe në rastet kur bie qeveria vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Vetëvendosje i kërkoi Gjykatës Kushtetuese pezullimin e menjëhershëm të dekretit të Thaçit dhe palëve politike që të presin vendimin e saj.
Ndërkohë LDK ka depozituar në Kuvend kërkesën e dhjetëra deputetëve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme parlamentare të shtunën, ku pritet të votëbesojë qeverinë e Hotit.
LDK-së i duhen së paku 61 vota për të formuar qeverinë.