Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të shkojnë në seancën e nesërme konstituive të parlamentit pa marrëveshje qeverisëse.
Lajmin e konfirmoi me një video-postim në Facebook kryetari i LV-së, Albin Kurti. Zoti Kurti tha se në parlament nesër do të shkohej pa marrëveshje për qeverinë dhe shpjegoi se pse 80 ditë pas 6 tetorit nuk ishte arritur dakordësi me LDK-në.
Oferta e diskutuar ishte me 3 pika:
- LDK-së i takon posti i Kryetarit të Parlamentit, LV-së dy nënkryetarët
- Posti i Presidentit të propozohet nga LDK-ja, LV-ja të marrë postin e Ministrisë së Brendshme dhe propozimi për President të ketë medoemos pëlqimin e LV-së.
- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të ndahet, Rinia t’i kalojë Ministrisë së Arsimit, Sporti Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo ofertë sipas zotit Kurti u refuzua nga LDK-ja, e cila nuk ra dakord të hiqte dorë nga asnjë pretendim fillestar. Kryetari i LV-së tha se “programi i tij qeverisës do të ishte me 50 për qind të programit të LDK-së, zëvendës-kryeministri i parë dhe 5 ministri do të ishin nga LDK-ja”.
Kryetari i Vetëvendosjes tregoi se qëndrim të ngjashëm pa hequr dorë nga kushtet LDK-ja kishte mbajtur edhe në diskutimet për koalicion parazgjedhor. Ai tha se “përcaktimin për ndryshim e ka në dorë LDK-ja” dhe se nuk do të dëshironte vajtjen sërish në zgjedhje, megjithatë ai theksoi se nuk do të lejonte deformimin e vullnetit të elektoratit që i dha atij shumicën.
Në orën 15:00 të 26 dhjetorit zhvilohet seanca e parë e parlamentit ku pritet të betohen deputetët e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit dhe të zgjidhet gjithashtu kryetari i parlamentit.
Ditën e sotme LV zhvilloi mbledhje të anëtarëve, të cilët nesër do të betohen si deputet dhe pas mbledhjes prej deputetes së ardhshme Albulena Haxhiu u tha se nuk do të zhvillohej ndonjë takimi tjetër me përfaqësues të LDK-së.
Për javë me radhë LV dhe LDK ka qenë në bisedime rreth një marrëveshje të mundshme qeverisëse.
Pas ideve të para që ishin relativisht të njëjta, palët kanë pasur ndasi për sa i përket propozimeve se kujt do t’i takonte posti i Presidentit. Mediat në Kosovë raportojnë se nga LDK-ja është kërkuar që ky post t’i takoj kësaj partie.
Zgjedhjet e 6 tetorit u fituan nga LV me 26.2 për qind. Pas saj u rendit LDK me 24.5 për qind, Partia Demokratike e Hashim Thaçit me 21.2 për qind. Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës së Ramush Haradinajt me Socialdemokratët mori vetëm 11.5 për qind.