Tre orë bisedime të zhvilluara pasditen e sotme nuk sollën asgjë të re mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Këtë e njoftoi pas përfundimit të takimit të radhës mes kryetarëve të dy partive, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Kryetarët Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk arritën të siguronin një marrëveshje qeverisëse për Kosovën duke i shtyrë bisedimet për ditën e enjte. Megjithatë raportime në media flasin për afrim drejt një dakordësie, e cila mund të konkretizohet nesër.
Takimi i sotëm, i cili nisi në orën 15:00, ishte me shumë pritshmëri pasi më herët Presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar 48 orë kohë kryetarit Kurti për të propozuar emrin e Kryeministrit.
Megjithëse ka kryer një proces zgjedhor më 6 tetor, prej 3 muajsh Kosova mbetet pa qeveri të re. Parlamenti është konstituuar, por Vetëvendosje, e cila mori më shumë deputetë, nuk ka numrat e duhur për ta formuar e vetme qeverinë.