Më 28 nëntor Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar mbajtjen e një marshimi për bashkim Shqipëri-Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Boiken Abazi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosja sqaron se marshimi do të nisë në orën 12:00 në monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në qendër me drejtim nga monumenti i Adem Jasharit në “Rrugën e Durrësit”.
Ajo e cilëson shpalljen e “Pavarësisë 28 nëntor 1912” si “projekt i pazbatuar” pasi “sot nuk ka begati dhe bashkim mes shqiptarëve” dhe për këtë vendi “nuk e ka luksin ta konsiderojë thjesht festë”.
Në njoftimin e shpërndarë nga Vetëvendosje ky marshim cilësohet me qëllim “integrimin kombëtar”:
“[…]28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror. Këto synime kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës. Ky integrim do të rrisë cilësisht demokracinë, do të zhvillojë ekonominë, do të forcojë shtetformimin, dhe do të përmirësojë ndjeshëm pozitën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tjera dhe të atyre që jetojnë në mërgim.”
Lëvizja Vetëvendosje e ka të përfshirë në programin e saj bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Vitet e fundit ajo ka hapur seli edhe në Shqipëri, ndërsa fitorja e Albin Kurtit në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit u festua edhe në Tiranë.
Aktiviteti i thirrur për më 28 nëntor përshkruhet si “ecje në rrugët e kryeqytetit për të bashkuar kauzat dhe vullnetet për të kërkuar hapa konkretë për integrimin kombëtar”.