3 magjistrantë janë konfirmuar gjatë kësaj javë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Të hënën, KPK konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë, Iliba Bezati. Komisioni hodhi poshtë raportin negativ të ILDKPI-së për gjyqtaren Bezati. Sipas raportit, gjyqtarja kishte bërë deklarim të pasaktë, nuk kishte burime të ligjshme të pasurisë, kishte fshehje pasurie, kishte bërë deklarim të rremë dhe bashkëshorti ishte në kushte të konfliktit të interesit.
KPK gjeti disa bilance negative në shumën 600 mijë lekë dhe mosdeklarimin e një trualli të trashëguar nga bashkëshorti.
Të mërkurën u konfirmua në detyrë gjyqtari i Përmetit, Dritan Hasani.
Komisioni nuk gjeti probleme në kriterin e pasurisë, që përbëhej kryesisht nga kursime në llogarinë e pagës dhe as në atë të figures. KPK argumentoi se gjyqtari kishte jetuar deri së fundmi në një garsoniere me qira prej 15 mijë lekësh në muaj.
Të premtën KPK vendosi konfirmimin e prokurores së Tiranës, Lediana Riza. KPK gjeti se prokurorja Riza kishte burime të mjaftueshme financiare për blerjen e apartamentit në Tiranë, por nuk kishte deklaruar një hua prej 850 mijë lekësh të marrë nga bashkëshorti për blerjen e apartamentit në Golem.
KPK gjeti pamundësi financiare në shumën 900 mijë lekë për krijimin e një depozite në vlerën 20 mijë euro në vitin 2013. Komisioni konstatoi pamundësi të pjesshme financiare për blerjen e një autoveture tip Citroen C3 blerë në mars të vitit 2010 për çmimin 11 mijë e 600 euro, në shumën 130 mijë lekë.