Vetingu, 3 shkarkime dhe 2 konfirmime gjatë 1 jave

Nga Exit News
Vetingu, 3 shkarkime dhe 2 konfirmime gjatë 1 jave

11 magjistrantë, ndër të cilët  4 prokurorë dhe 7 gjyqtarë janë përballur gjatë kësaj jave me procesin e vetingut në të dyja shkallët, Komision të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegj të Posaçëm të Apelimit.

Gjatë javës është shkarkuar 3 një gjyqtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

E hëna nisi me rivlerësimin e prokurores pranë Prokurorisë së Durrësit, Enkeleda Osmani. Trupa gjykuese për të përbëhet nga Roland Ilia, Suela Zhegu dhe Brunilda Bekteshi.

KPK gjeti probleme në kriterin e pasurisë ku sipas hetimeve rezultoi një diferencë e madhe mes të ardhurave të deklaruara të bashkëshortit dhe të ardhurave për të cilat Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Tatimet konfirmonin pagesën e detyrimeve, si dhe mungesë deklarimin të të ardhurave cash. Por pavarësisht kësaj, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të prokurores Osmani.

Me procesin e vetingut u përball të martën, gjyqtarja e Apelit Gjirokastër, Irena Ibrahimi. KPK konfirmoi në detyrë Ibrahimin me 21 korrik, pavarësisht dyshimeve në lidhje me trajtim preferencial gjatë blerjes së një apartamenti dhe një njësie shërbimi në Gjirokastër.

Në të njëjtën ditë, KPK vendosi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Niko Rapi. KPK ngriti dyshime për konflikt interesi, për shkak të një marrëdhënie huaje mes gjyqtarit dhe kompanisë Bregu sh.p.k. Gjithashtu  nga hetimi rezultoi se gjyqtari Rapi kishte udhëtuar drejt Gjermanisë me një avokat, i cili ka qënë përfaqësues i njërës prej palëve, në një çështje të gjykuar prej Rapit. Në kriterin e figurës dhe pasurisë, Rapi rezultoi pa probleme.

Të mërkurën, KPK shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Shkodrës, Selim Kryeziu. KPK gjeti probleme në të figurën dhe pasurinë e gjyqtarit. Tre raste të dyshuara mitmarrje të përshira në një raport negativ të DSIK-së, mungesa e burimeve për pasurinë dhe disa mosdeklarime ishin problemet kryesore që KPK konstatoi gjatë hetimit për gjyqtarin.

KPK të enjten vendosi shkarkimin e gjyqtares së Apelit Tiranë, Flutura Skënderi. KPK gjeti pasaktësi në deklarimet periodike vjetore të gjyqtares Skënderi lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet ndër vite si dhe pamundësi financiare për kryerjen e investimeve të deklaruara.

Në të njëjtën ditë u përball me vetingun, gjyqtarja e Apelit Adiministrativ Tiranë, Blerona Hasa. KPK konstatoi probleme me pasurinë e gjyqtares. Sipas Komisionit rezulton mospërputhje mes të dhënave të pasqyruara në deklaratën veting nga gjyqtarja Hasa dhe dokumentacionit të administruar nga institucionet për këtë pasuri. Vendimi për të do të jepet me 27 korrik.

Të premten u përball me vetingun prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Anisa Qilimi. Komisioni gjeti një balancë negative në vlerën 398 mijë lekësh. Ndërkohë në kriterin e figurës dhe profesionalitetit, ajo u vlerësua pozitivisht. Vendimi për të do të merret në 28 korrik.

KPK në të njëjtën ditë, më një vendim të pazakontë vendosi pezullimin e procesit për kreun e Gjykatës së Matit, Artan Çupi dhe dërgimin për një vit në Shkollën e Magjistraturës.

Të premten u zhvillua seanca në KPA për kreun e Prokurorisë së Apelit, Dritan Peka. Pas kërkesës së Komisionerit Publik, KPA do të hetojë nga e para prokurorin në të trija kriteret.

KPA vendosi pushimin e çështjes për gjyqtarin e Apelit Tiranë, Tom Deda.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>