Vetingu, del përpara KPK-së anëtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari

Vetingu, del përpara KPK-së anëtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari

Gani Dizdari, anëtari i fundit i Gjykatës Kushteuese që nuk është përballur ende me vetingu, do të dalë sot përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjyqësore që do të zhvillojë sot seancën me Dizdarin përbëhet nga  Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Olsi Komiçi.

Gani Dizdari e ka nisur karrierën që në vitet e regjimit komunist ku ka punuar si prokuror në Tropojë dhe në Departamentin Gjyqësor në Prokurorinë e Përgjithshme.

Më pas në vitet 1995-1999, punoi si zëvendësProkuror i Përgjithshëm. Nga viti 1999 deri në vitin 2006, Gani Dizdari punoi si avokat, ndërsa në vitin 2006 nisi punën si gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Në Gjykatën Kushtetuese, Gani Dizdari nisi punën në vitin 2013.

Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2006 kur Gani Dizdari ka bërë për herë të parë deklarimin e pasurisë, familja e gjyqtarit kishte pasuri në vlerën e 7,9 milionë lekëve. Kjo pasuri konsistonte në dy apartamente banimi, -njëra prej të cilave e përfituar nga privatizimet; llogari bankare në vlerën e 1,4 milionë lekëve, dhe para cash në vlerën e 4,6 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria e gjyqtarit Dizdari është katërfishuar duke arritur në vlerën e 32,6 milionë lekëve. Kjo pasuri konsiston në 18,4 milionë lekë prona të paluajtëshme, makinë në vlerën e 760 mijë lekëve, 6,5 milionë lekë në bankë dhe 6,8 milionë lekë cash.

80 për qind e të ardhurave të familjes Dizdari përbëhen nga paga dhe shpërblime të gjyqtarit, ndërsa 11,7 për qind e të ardhurave vijnë nga puna e vajzës si notere. Gjyqtari Dizdari ka deklaruar 7 për qind të të ardhurave si dhurata në formën cash.

Nga kontrolli aritmetik e logjik bërë nga BIRN, në deklaratat e Dizdarit ka disa “flamuj të kuq”.

Kështu,  për vitin 2009, Dizdari dhe vajza e tij deklarojnë se kanë marrë dhurata në vlerën 15 300 euro për dasmën e vajzës, por nuk kanë deklaruar asnjë shpenzim për dasmën.

Në të njëjtin vit, vazja ka blerë një apartament me vlerë 94 mijë euro, për të cilën ka marrë dy hua tek të afërmit me vlerë totale rreth 60 mijë euro. Deri në fund të vitit 2017, asnjë këst i kësaj huaje nuk është shlyer. megjithëse familja ka kursime të shumta cash.

Dyshime të forta për burime të paligjshme të ardhurash lindin dhe nga shuma e lartë e parave cash që familja Dizdari zotëron, shifër kjo disa herë më e lartë se sa lejohet nga ligji.

Nëse gjyqtari Dizdari konfirmohet në detyrë, ai do të jetë anëtari i tretë i Gjykatës Kushtetuese që do të vazhdojë punën, pas Vitore Tushës dhe Bashkim Dedes.

Ndërkohë  Fatos LuloAltina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha u shkarkuan nga detyra për mosjustifikim të pasurisë.

Ndërsa Besnik Imeraj, Sokol Berberi dhe Vladimir Kristo dhanë dorëheqjen përpara se të fillonte vetingu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>