Vetingu, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza përballet nesër me KPK-në

Vetingu, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza përballet nesër me KPK-në

Gjyqtari Admir Thanza, anëtar i Gjykatës së Lartë, do të përballet nesër me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.

Trupa gjyqësore që do të zhvillojë seancën me Zotin Thanza përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.

Admir Thanza e ka nisur karrierën në vitin 1992 në Gjykatën e Shkodrës, ku ka punuar deri në vitin 2006. Më pas ka punuar në gjykatën e Tiranës deri në vitin 2009. Nga viti 2009 deri në vitin 2013, Zoti Thanza ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe për pak kohë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga viti 2013, Admir Thanza është gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2003, familja e gjyqtarit Thanza kishte pasuri në vlerën e 13,5 milionë lekëve. Në fund të vitit 2017, pasuria e familjes Thanza është rritur me 3,7 herë duke kapur vlerën e 50,5 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtëshme të gjyqtarit Thanza, si shtëpi e makina, zënë vlerën e rreth 30 milionë lekëve. Ndërkohë që në llogaritë bankare të familjes së gjyqtarit ka 14,8 milionë lekë. Në gjëndje cash, gjyqtari ka rreth 4 milionë lekë, shifër kjo disa herë më e lartë se sa lejohet nga ligji.

28,5 për qind e të ardhurave të familjes Thanza përbëhen nga paga dhe shpërblime të gjyqtarit, ndërsa rreth 54 për qind e të ardhurave vijnë nga puna si notere e bashkëshortes.

Nga analiza e pasurisë, BIRN ka theksuar disa ‘flamuj të kuq’ si për shembull një detyrim i papaguar në vlerën e 2,6 milionë lekëve ndaj një shoqërie ndërtimi, ndërkohë që familja e gjyqtarit ka deklaruar 3,9 milionë lekë cash.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>