
Brikena Ukperaj, gjyqtare e Apelit Vlorë, u konfirmua sot në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Trupa e KPK-së e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja u shpreh se zonja Ukperaj nuk ka bërë deklarim të rreme pasurie dhe ka marrë vlerësime pozitive për aftësitë profesionale, ndaj do të vazhdojë detyrën si gjyqtare.
Zonja Ukperaj e ka nisur karrierën në gjykatën e Tiranës në vitin 2006. Më pas ka punuar në Lushnje dhe që prej nëntorit 2016 është gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Gjyqtarja Ukperaj kandidon për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.