Vetingu i Besim Hajdarmatajt si test i drejtësisë së reformuar

Vetingu i Besim Hajdarmatajt si test i drejtësisë së reformuar

Besim Hajdarmataj ka qenë për disa vite ndoshta prokurori më i rëndësishëm në vend, si drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ai ka mbikqyrur apo drejtuar vetë hetimin e disa nga çështjeve më të rëndësishme të korrupsionit dhe krimit të viteve të fundit.

Rasti më i bujshëm është hetimi i ish-ministrit Saimir Tahri—Hajdarmataj filloi dhe drejtoi hetimin e tij. Ai kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit dhe u përplas me deputetët socialistë në Kuvend, të cilët nuk lejuan heqjen e imunitetit.

Hajdarmataj, gjithashtu, drejtoi hetimin e manipulimit të zgjedhjeve në Dibër—ai urdhëroi përgjimin e disa figurave të krimit dhe drejtuesve lokalë, të cilët u dyshuan për manipulim.

Për këtë hetim, ai u vu në qendër të sulmeve të pushtetarëve socialiste—ai u akuzua dhe u kërcënua prej tyre si person që kishte gisht në rrjedhjen e përgjimeve të cilat u bënë publike nga gazeta gjermane Bild.

Për këto hetime, Hajdarmataj u bë “armikun nr. 1” i socialistëve. Veprimi i parë i Arta Markut në krye të prokurorisë ishte largimi i tij nga krimet e rënda, dhe dosjet e Tahirit dhe Dibrës, duke e transferuar si prokuror të thjeshtë në Pogradec.

Në këtë klimë armiqësore politike, Hajdarmataj iu nënshtrua vetingut.

Në dhjetor 2019, ai u konfirmua në detyrë nga KPK. Megjithatë, me kërkesë të vëzhguesit ndërkombëtar vendimi i KPK-së u apelua në KPA, po në dhjetor 2019.

Pak ditë më parë, u zhvillua seanca dëgjimore në Kolegjin e Apelimit—komisioneri publik dhe vëzhguesi ndërkombëtar argumentuan pse Hajdarmataj duhet të largohet, ndërsa ai vetë i kundërshtoi këto pretendime.

Nëse lexon qendrimet e palëve—dhjetëra faqe raporte dhe argumentime—kupton disa fakte të thjeshta.

Hajdarmataj duket se nuk ka probleme me pasurinë: ai jeton në një banesë me prindërit, nuk ka as banesë tjetër në pronësi; nuk ka makinë private; nuk ka kursime të mëdha; nuk ka biznese apo interesa në biznese e sipërmarrje të tjera. Pas rreth 20 vjet si prokuror, pasuria e tij është relativisht modeste—më e vogël se shumica e magjistratëve të konfirmuar deri tani.

Edhe pse komisioneri publik është munduar të ngrejë pikëpyetje për pasurinë e tij, mungesa e provave dhe mënyra e formulimit të pretendimeve, duket se edhe ai vetë nuk beson shumë tek pretendimet e tij.

Në fakt, thelbi i kërkesës për largimin e Hajdarmatajt është dyshimi për aftësinë e tij profesionale.

Komisioneri ka analizuar vendimet e marra nga Hajdarmataj si drejtues i krimeve të rënda për katër çështje, dhe vendimet e tij hetimore për një çështje tjetër.

Për tre nga katër rastet si drejtues, ankesa ka të bëjë me vendimet për delegimin e çështjeve nga krimet e rënda në prokuroritë e rretheve—janë të gjitha çështje për hetim kanabisi të kapur nga policia.

Akuza ndaj Hajdarmatajt mbështetet mbi opinionin nëse çështjet duhet të ishin trajtuar nga krimet e rënda dhe jo mbi rezultatet e hetimit. Në fakt të gjitha çështjet kanë përfunduar me dënimin e të akuzuarve dhe komisioneri nuk pretendon se delegimi ka favorizuar të akuzuarit.

Pra, Hajdarmataj gjykohet pse ka marrë vendime proceduriale, të cilat kanë qenë kompetencë e tij, dhe jo se këto vendime kanë dëmtuar apo kanë favorizuar të akuzuarit.

Edhe pse Hajdarmataj ka zbatuar ligjin në vendimet e tij, edhe pse edhe prokuroritë e rretheve kanë arritur dënimin e të akuzuarve, vëzhguesi dhe komisioneri mendojnë se Hajdarmataj nuk duhet ta kishte ushtruar këtë kompetencë që atij ja jep ligji.

Për të kuptuar sa e pabazë është një akuzë e tillë, mjafton të shikohet një rast tjetër. Hetimet e trafikut të drogës, për të cilat është akuzuar prokurori Maksim Sota i Vlorës, fillimisht u hetuan nga krimet e rënda dhe më pas iu transferuan prokurorisë së Vlorës.

Ky transferim duket se ka cënuar hetimin, për shkak se Sota akuzohet se ka favorizuar të dënuarit.

Prokurori që ka bërë transferimin e ka kaluar vetingun dhe është aktualisht pjesë e SPAK-ut.

Kjo nuk do të thotë kurrsesi se ky prokuror është fajtor për transferimin. Thjesht, ky rast tregon sa e pabazë është akuza ndaj Hajdarmatajt dhe se ndaj tij po përdoret një standard i ndryshëm nga procese të tjera vetingu.

Për ta përforcuar këtë argument, mund të përmendet gjithashtu fakti se SPAK ka deleguar, së fundmi, në rrethe disa çështje të nxehta, përfshi dosjen e zgjedhjeve në Dibër dhe disa çështje droge.

Sipas standardit që po i vendoset Hajdarmatajt të gjithë prokurorët e SPAK që kanë marrë këto vendime duhet të përjashtohen nga drejtësia!

Rasti i katër për të cilën komisoneri kërkon shkarkimin e Hajdarmatjat është edhe më i pabazë. Hajdarmataj ka zëvendësuar një prokuror të një cështje pasi ajo ishte gykuar në shkallën e parë, duke qenë se prokurori ishte transferuar në një prokurori tjetër. Prokurori zëvendësues kërkoi një dënim edhe më të ashpër në apel dhe gjykata e apelit i dënoi më ashpër të akuzuarit.

Edhe në këtë rast Hajdarmataj akuzohet se nuk duhet ta ndërronte prokurorin—një vendim administrativ, kompetencë ligjore e tij—edhe pse ndërrimi e ka ashpërsuar dënimin e të akuzuarve.

Rasti i pestë kundër tij mbështetet në një denoncim nga një burim anonim, i paidentifikuar asnjëherë, i cili akuzon Hajdarmatajn se ka mbyllur një çështje për sekuestrim makinerish lojrash elektronike, për shkak se ka patur miqësi me një nga të akuzuarit.

Komisioneri nuk sjell prova për këtë marrëdhënie të dyshuar miqësore, as prova për përfitim të paligjshëm apo veprim korruptiv. E vetmja provë e tyre është se kanë qenë një herë në të njejtin fluturim nga Tirana, pa vertetuar edhe për ketë rast nëse destinacioni final i tyre ka qenë i njejtë.

Të pesta akuzat u konsideruan nga KPK dhe u gjetën të pabaza, ndaj Hajdarmataj u konfirmua në detyrë.

Megjithatë, komisioneri dhe vëzhguesi ndërkombëtar po këmbëngulin që KPA ta përjashtojë Hajdarmatjan.

Disa media, të dalluara për qëndrime pro-qeveritare, gjithashtu kërkojnë përjashtimin e tij duke u bërë jehonë akuzave kundër hajdarmatajt me tituj spekullativë.

Socialistët e hetuar nga Hajdarmataj, përfshi ata të përgjimeve të botuara nga Bild, gjithashtu kërkojnë shkarkimin e tij—madje e kanë kërcënuar publikisht më parë që do ta largonin nga drejtësia.

Një nga qellimet e reformës në drejtësi ka qenë pavarësia nga politika dhe ndershmëria e punonjësve të drejtësisë.

Hajdarmataj është një nga prokurorët që i ka hapur më shumë probleme politikës.

Pikërisht, këtë prokuror reforma që synon dënimin e politikanëve të korruptuar po kërkon ta largojë. Ndërsa politikanët e hetuar prej tij vazhdojnë të jenë të paprekshëm nga drejtësia.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>