Vetingu, KPA shkarkon përfundimisht gjyqtarin e Apelit të Korçës Sotiraq Lubonja

Vetingu, KPA shkarkon përfundimisht gjyqtarin e Apelit të Korçës Sotiraq Lubonja

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Korçës Sotiraq Lubonja.

Argument kryesor për shkarkimin e Lubonjës ishte mosjustifikimi i pasurisë me burime të ligjshme.

Sotiraq Lubonja u shkarkua nga KPK më 8 tetor 2018. Gjatë hetimeve administrative, KPK gjeti probleme të shumta me deklaratat e tij të pasurisë ndër vite dhe deklaratën e pasurisë veting.

Zoti Lubonja kishte deklaruar në pronësi të tijën një shtëpi në Korçë me sipërfaqe 61 metra katrorë, por nuk kishte deklaruar shtesat pa leje që kishte bërë ndër vite. Sipas vlerësimit të KPK-së, këto shtesa i kanë kushtuar rreth 6.37 milionë lekë gjyqtarit, pasuri për të cilën gjyqtari nuk kishte burime të mjaftueshme.

Po ashtu, gjyqtari ka deklaruar se ka marrë rreth 4 milionë lekë dhuratë nga e ëma, në kohën kur kjo ka qenë pensioniste, por KPK vlerësoi se e ëma e gjyqtarit nuk kishte burime të mjaftueshme për të siguruar kaq kursime.

Në vitin 2005, vjehrri i gjyqtarit me banim në SHBA, ka bërë një depozitë në emër të bashkëshortes së Lubonjës me vlerë 25 mijë dollarë. Ndër vite, i njëjti person ka bërë dhurata ndaj djemve të gjyqtarit me vlerë 11 mijë euro dhe 5 mijë dollarë. Ai gjithashtu i ka dhuruar çiftit Lubonja pensionin e tij në Shqipëri në vitin 2015 dhe 2017 me vlerë 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë.

Gjyqtari së bashku me familjen kishin udhëtuar shpesh në SHBA. KPK vlerësoi se këto udhëtimeve kanë pasur një kosto rreth 3.7 milionë lekë. Gjyqtari Sotiri, gjatë seancës, u mbrojt duke thënë se këto shpenzime janë mbuluar nga vjerrhi dhe kunati i tij, por KPK nuk gjeti prova të mjaftueshme për të vërtetuar deklaratat e gjyqtarit.

KPK, po ashtu, gjeti se djemtë e gjyqtarit, në vitin 2008, kanë porositur një apartament 3+1 dhe garazh në Tiranë, me vlerë totale 84 mijë euro, pasuri të cilën gjyqtari nuk e ka deklaruar fare në deklaratën veting.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>