Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme në deklarimin e pasurisë së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.
Xhensila Pine, relatorja e seancës, u shpreh se nga hetimi administrativ i dosjes së Zotit Dedja janë gjetur paqartësi dhe mungesë justifikimi të burimeve për disa nga pasuritë e gjyqtarit.
Më specifikisht, bëhet fjalë për dy hua me vlera 10 dhe 15 mijë euro të marra tek kunati dhe vëllai i Dedes, që gjatë hetimit nuk kanë mundur t’i justifikonin këto të ardhura. Po ashtu në deklaratat noteriale të huave janë gjetur pasaktësi.
Për këtë rast, avokati mbrojtës i gjyqtarit Dedja, Maks Haxhia tha se të dy huadhënësit kishin qenë emigrant dhe kishin mungesë dokumentacioni për ta vërtetuar shumën.
KPK ngriti dyshime dhe për deklarimet e ndryshme që gjyqtari ka bërë pranë ILDKPKI-së për një apartament në plazhin e Durrësit. Sipas relatores Pine, është e dyshimtë që për të njëjtën pronë, kontrata e energjisë është në emër të gjyqtarit, ndërsa pronësia apartamentit është në emër të vëllait të Bashkim Dedes, me profesion fermer në një fshat të Dibrës.
Të tjera pasaktësi janë gjetur dhe në dokumentet e një apartamenti 98 metra katrorë. Fillimisht në vitin 2003, Dedja ka thënë se ka në pronësi vetëm 50 për qind të apartamentin, ndërsa pjesa tjetër është e vëllait. Më pas, gjatë plotësimit të dokumenteve të vetingut, Dedja ka deklaruar se apartamentin e zotëron 100 për qind, pa vënë në dispozicion dokumentet e blerjes. Më pas gjyqtari ndërroi sërish deklarim, duke iu rikthyer variantit fillestar.
Këto paqartësi, avokati Haxhia i justifikoi me “lidhjen mes vëllezërve në Shqipëri.”
Lidhur me pastërtinë e figurës dhe vlerësimin profesional, KPK deklaroi se gjyqtari Dedja është vlerësuar pozitivisht.
Gjithsesi, po të kemi parasysh dhe raste të ngjashme me probleme me pasurinë, në verifikimin e gjyqtarëve të tjerë, me shumë gjasa KPK do të shkarkojë nga detyra zotin Dedja.