
Pas një muaji pushim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të nisë seancat e vetingut më 6 shtator. Lajmi është njoftuar nga KPK, e cila ka përditësuar kalendarin e punimeve në faqen e saj zyrtare.
Më datë 6, në orën 10, KPK do të zhvillojë seancën dëgjimore me prokurorin e Apelit Durrës Bujar Hotin.
Trupa gjykuese do të përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.
Prokurori Hoti është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pas Hotit, prokurorët e tjerë pjesë e listës prioritare të vetingut si kandidatë për KLP-në janë dhe Ramadan Troci, Shpëtim Kurti dhe Besnik Cani, por KPK ende nuk i ka bërë publike datat e seancave për secilin prej tyre.
Pas prokurorëve, dy magjistratët që do të përballen me KPK dhe që mbyllin listën prioritare të vetingut me 57 emra janë gjyqtari Kastriot Selita, anëtar i KED, dhe Marsida Xhaferllari, Inspektore e Lartë e Drejtësisë.