Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti shkelje në deklarimin e pasurisë gjyqtares së Gjykatës së Kurbinit Marçela Shehu, ndaj duket se ajo do të rikonfirmohet në detyrë.
KPK mbajti sot senacën e parë për vlerësimin e gjykatëses Shehu. Në përfundim të seancës relatorja e KPK deklaroi se gjyqtarja nuk ka problem me pasurinë dhe se ka marrë vlerësime positive për pasurinë dhe aftësinë profesionale nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).
Zonja Shehu është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi është kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Vendimi i KPK-së për rikonfirmimin në detyrë apo jo të Zonjës Shehu do të jepet më 4 qershor.
Deri më tani, gjykatësja Vitore Tusha, Manjola Xhaxho dhe prokurorja Fatjona Memçaj kanë kaluar vetingun dhe janë konfirmuar në detyrë.
Besnik Ymeraj dha dorëheqjen, por u referua nga KPK në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo, Besnik trezhnjeva, Besa Nikëhasani, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha u shkarkuan për mosjustifikim të pasurisë.
Ndërkohë të tjerë gjykatës e prokurorë kanë dhënë dorëheqjen pa kaluar fare nën procesin e vetingut. Për më shumë për dorëheqjet dhe për anëtarët e sistemit të drejtësisë të larguar që pas miratimit të reformës në drejtësi mund të lexoni këtu dhe këtu.