Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyura prokurorin e Prokurorisë Tiranë Adriatik Cama për probleme me deklarimin e pasurisë dhe pastërtinë e figurës.
Prokurori Cama ishte pjesë e listës prioritare të vetingut pasi kandidonte për të qenë anëtar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Gjatë seancës, trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu tregoi provat se përse Adriatik Cama, i njohur dhe si prokurori i çështjes së 21 janarit, nuk mund të vazhdojë detyrën.
Lidhur me pasurisë, sipas KPK-së, deklaratat e CAmës kishin pasaktësi në rastin e një apartamenti 76 metra katrorë. Për të njëjtin apartament në vitin 2003 Cama kishte deklaruar se e ka vlerën 2.4 milionë lekë, ndërsa në deklaratën për procesin e vetingut ka deklaruar se e ka vlerën 3.4 milionë lekë. Ndërkohë kontrata e blerjës së apartamentit ka të shkruar vlerën 34 900 dollarë.
Po ashtu, prokurori ka deklaruar se ka blerë një njësi “ish-parkim garazh”, ndërkohë që në kontratën e shit-blerjes njësia quhet “dyqan”. KPK ka vlerësuar se prokurori Cama nuk ka pasur burime të mjëftueshme për të blerë këtë pronë, ashtu si dhe për blerjen e një makine.
Prokurori Cama nuk ka deklaruar pasjen e një llogarie bankare dhe kreditimin e llogarisë së tij dhe të bashkëshortes në shuma të ndryshme nga persona të afërm përgjatë 10 viteve.
Lidhur me kontrollin e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) e ka vlerësuar prokurorin si të përfshirë në korrupsion dhe të papërshtatshëm për të vazhduar punën.
Vetë KPK ka hetuar më tej raportin e DSIK-së dhe ka dalë në përfundimin se prokurori Cama ka lidhje me persona të papërshtatshëm dhe se ka shkëmbyer dhurata dhe favore me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Të gjithë këto përfundime, prokurori Cama i quajti të pabazuara në prova.