Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra prokurorin e Apelit Durrës Bujar Hoti, për mosjustifikim të pasurisë.
Trupa e KPK-së e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici vlerësuan se prokurori Hoti nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurië dhe nuk kishte burime të ligjshme e të mjaftueshme për ta justifikuar atë.
Nga hetimi administrative i KPK-së u gjet se Hoti kishte bërë deklarim fiktiv për dy apartamente, nuk ka deklaruar një shtesë të bërë në një apartament në pronësi të bashkëshortes, si dhe ka përfituar tokë në Durrës edhe pse sipas ligjit nuk duhet të përfitonte.
Gjatë seancës dëgjimore të 6 shtatorit, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jacobs “e sfidoi” prokurorin Hoti duke iu drejtuar:
“Ju ia keni dalë të konvertoni aktivitete ekonomike të thjeshta në procedura shumë të komplikuara. A nuk ka ardhur koha të filloni të tregoni të vërtetën?”
Prokurori Hoti ishte kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pas Hotit, prokurorët e tjerë pjesë e listës prioritare të vetingut si kandidatë për KLP-në janë dhe Ramadan Troci, Shpëtim Kurti dhe Besnik Cani, por KPK ende nuk i ka bërë publike datat e seancave për secilin prej tyre.