Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra prokurorin e Apelit Tiranë Luan Kaloçi.
Sipas KPK-së, prokurori Kaloçi ka bërë deklarim të rremë të pasurisë, deklaratat e tij të pasurisë ndër vite nuk përputhen me deklaratën përfundimtare për vetingun dhe nuk i ka siguar pronat e tij përmes burimesh të ligjshme të ardhurash.
Nga hetimi administrativ i pasurisë së Kaloçit, rezultoi se ai nuk ka deklaruar depozita bankare të bashkëshortes së tij në vlerën 5 mijë dollarë dhe 20 mijë euro në vitin 2007, depozitë prej 15 mijë eurosh në vitin 2009 dhe një makinë të blerë nga vajza e tij në vitin 2015.
Përveç fshehjes së depozitave, prokurori Kaloçi justifikoi blerjen e një dyqani me vlerë 5,8 milionë lekë me para të fituara në bastet sportive.
Po ashtu, prokurori Kaloçi, në deklarata të ndryshme, ka deklaruar mënyra të ndryshme të sigurimit të të ardhurave për blerjen e apartamentit në Tiranë.
Të gjithë shkeljen që KPK gjeti në deklaratën e pasurisë së Kaloçit, ai i justifikoi me “informalitetin në ekonominë shqiptare” pa dhënë më tej sqarime.
Luan Kaloçi ishte kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.