Kreu i gjykatës së Kurbinit Alfred Gjoni është përballur sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Trupa gjykuese përbëhet nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
KPK ka gjetur probleme në deklarimin të pasurisë bërë nga Zoti Gjoni. Sipas raportit të ILDKPI, gjyqtari Gjoni ka deklaruar një apartament 60 metra katrorë, i blerë 1.9 milionë lekë në vitin 2001 dhe një apartament në Durrës, për blerjen e të cilave ka deklaruar si burim të ardhurash shitjen e disa pronave në Laç.
Nga verifikimet e kryera nga KPK, rezulton se gjyqtari ka kryer fshehje të pasurisë sepse në vitin 2001 nuk dispononte aq të ardhura sa për të justifikuar blerjen e një apartamenti, ndërkohë që edhe deklarimet për apartamentin në Durrës janë kontradiktore.
Sipas KPK, gjyqtari Gjoni nuk ka deklaruar as përdorimin e tre automjeteve dhe ka kryer deklarime të pasakta për dhëniën e një trashëgimie.
Vendimi për Gjonin do të merret në ditët në vijim.
Deri më tani, nga kryetarët e gjykatave të rretheve janë shkarkuar Izet Kadana (Pukë), Admir Belishta (Korçë), Agron Vavla (Berat) dhe Alltun Çela (Sarandë), dhe janë konfirmuar në detyrë Emona Muçi (Pogradec) dhe Alma Kolgjoka (Krujë).