Vetingu në drejtësi, cilat nga deklaratat e përfaqësuesve të ONM janë të vërteta?

Vetingu në drejtësi, cilat nga deklaratat e përfaqësuesve të ONM janë të vërteta?

Kur në shkurt 2017 erdhi në Shqipëri shefja e ONM-së Genoveva Ruiz Calavera, ajo bëri një premtim të fortë: “Zëri i vetëm që do të komentojë punën tonë është faqja jonë zyrtare.”

Por teksa faqja zyrtare në internet e ONM-së ka mbetur e papërditësuar, Ruiz Calavera dhe të tjerë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, kanë filluar të japin intervista për shtypin.

Pak ditë më parë, një nga tetë vëzhguesit ndërkombëtarë John Leonardo foli për punën e tij në ONM,  në një intervistë me median amerikane Arizona Daily Star.

Intervista përmban disa deklarata që ja vlen të merren në shqyrtim. Për shembull, Leonardo, ish-gjykatës në Arizona, shprehet:

“Ekzistojnë pritshmëri shumë të larta në vend se shumë gjyqtarë dhe prokurorë do të humbasin vendet e punës. […] Në këtë vend ka korrupsion të shfrenuar në shumë fusha: policia, gjykatësit, prokurorët.”

Kjo deklaratë duket se është në kundërshtim me pretendimet e shefes së ONM Ruiz Calavera, e cila deklaroi në një intervistë për Deutsche Welle:

“Jam e bindur që shumë gjykatës dhe prokurorë do ta kalojnë vettingun pa vështirësi, nuk dua të stigmatizoj gjithë sistemin gjyqësor, ka profesionistë shumë të mirë.”

Pra cila është e vërteta? “Shumë gjyqtarët dhe prokurorët që do të humbasin vendin e punës” janë të njëjtë me “shumë gjykatës dhe prokurorë do ta kalojnë vettingun pa vështirësi”?

“Korrupsion të shfrenuar në shumë fusha” apo “profesionistë shumë të mirë”? Të dy deklaratat nuk mund të jenë të vërteta në të n jëjtën kohë.

Intervistat e Leonardos dhe Calaveras, të vendosur pranë njëra-tjetrës, japin dy panorama shumë të ndryshme të vettingut. Ndoshta ky ndryshim është vënë re dhe nga Leonardo, i cili shprehet:

“Ndjej se automatikisht kam më shumë besueshmëri mes të tjerëve, mes komunitetit ligjor, sesa kanë evropianët perëndimorë.”

Pse duhet të ketë më shumë besueshmëri ky avokat i vetëm i Shteteve të Bashkuara se 7 anëtarët e tjerë të ONM-së? Një arsye mund të jetë fakti që BE-ja gjatë gjithë procesit të reformës në drejtësi, ka qenë hapur mbështetëse e qeverisë shqiptare, ndërsa SHBA-ja perceptohet si me qendrime më “neutrale” (pavarësisht nga realiteti politik në terren).

Një arsye tjetër mund të jetë se Ruiz Calavera ngriti haptazi shqetësimin se si ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin u bë objektiv i “një fushatë denigruese e shpifjeve dhe sulmeve që janë krejtësisht pa baza”, duke implikuar kështu në mënyrë direkte opozitën e median dhe duke duke mbajtur anë në skenën shqiptare.

SHBA-ja perceptohet (përsëri, pavarësisht nga realiteti politik) si faktor më neutral dhe që nuk ka mbajtur anë. Ambasada e SHBA nuk ka nxitje të drejtpërdrejtë për të gjykuar qeverinë shqiptare, ndërsa delegacioni i BE po.

Dhe kështu, një intervistë e thjeshtë me një nga anëtarët e ONM na jep një pasqyrë komplet tjetër në dinamikën e brendshme të këtij misioni vëzhgimi, i cili më pak se një vit më parë premtoi të ishte një fortesë e padepërtueshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>