Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ende nuk ka publikuar agjendën e punimeve të procesit të vetingut për muajt në vazhdim. Pas një muaji pushim dhe një numër të madh vendimesh që nuk arritën të publikohen brenda afateve ligjore, tani duket se mekanizmi i verifikimit është në ngërç.
Po të shohim ecurinë e derimëtanishme, situata është edhe më dëshpëruese.
Gjykata Kushtetuese ka mbetur me vetëm dy anëtarë dhe është paralizuar prej disa muajsh, ndërsa Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës, Bashkim Dedja, njërit prej dy anëtarëve të mbetur në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, Parlamenti ka filluar kërkimin e kandidatëve të rinj, por asnjëri prej tyre nuk do të mund të zgjidhet nëse Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë nuk plotësohet dhe konfirmohet plotësisht, gjë që ka pak shanse të ndodhë këtë vit.
Në kundërshtim me Ligjin 115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, i cili u miratua në mënyrë të njëanshme nga shumica socialiste, Gjykata e Lartë ka nisur përpjekjen e fundit për të gjetur kandidatë shtesë për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj). Me shumë mundësi e njëjta situatë do të përsëritet edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Aplikimet e reja, me gjasa, do të hapen nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, e cili vetë u zgjodh përmes një procedure jokushtetuese, me votat e shumicës socialiste. Pa asnjë Gjykatë Kushtetuese për të gjykuar ndonjë nga këto çështje të rënda ligjore, besueshmëria e të gjithë sistemit gjyqësor, me nisjen e vetingut, është dëmtuar rëndë.
Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përpunuar vetëm 63 nga 176 dosjet që janë hapur që nga dhjetori 2017, dhe çdo kandidat i ri, për KLGj-në, KLP-në apo Gjykatën Kushtetuese do të duhet të presë deri në vitin 2019 për t’u përballur me vetingun. Ndërkohë, grumbullimi i dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Lartë dhe ligjet e miratuara pa mundësinë për tu shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese vazhdojnë të shtohen me shpejtësi të madhe. Prandaj situata aktuale e vendit mund të përshkruhet gjithnjë e më tepër si “e paligjshme”.
Ndërkohë, ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së – të cilët janë bashkë-përgjegjës për rrëmujën – vazhdojnë të fshehin “kokat në rërë”. Në një intervistë lamtumire, ish-ambasadorja e BE-së Vlahutin deklaroi se “brenda vitit, të gjitha institucionet e reja mund të fillojnë punën”. Ndërkohë, ambasadori amerikan Donald Lu, që po largohet, sugjeroi që “demokracia” është zgjidhja e të gjitha problemeve të Shqipërisë:
“Demokracia është diçka që na bashkon të gjithë ne, amerikanë dhe shqiptarë. Është e rrëmujshme. Është e komplikuar dhe shpesh është e mbushur me konflikte dhe polemika, por në fund, demokracia na garanton liritë që i konsiderojmë kaq të vyera.”
Pa sundimin e ligjit dhe respektin e qeverisë për të drejtat themelore të çdo qytetari shqiptar, duke përfshirë ato të një gjykimi të drejtë dhe mbrojtje të barabartë para ligjit, deklarata e Lu-së është e pavlefshme.