Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani duket se do të konfirmohet në detyrë nga KPK, megjithëse Inspektoriati i Deklarimit të Pasurisë gjeti shkelje në deklarimin e gjyqtarit.
Sipas ILDKPKI-së, gjyqtari Dvorani nuk ka deklaruar në deklaratën e procesit të vetingut një shumë prej 9.9 milionë lekësh kursime të familjarëve të tij të mbajtura në banka. Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka justifikuar Dvoranin duke sqaruar se këto kursime janë deklaruar në deklaratat vjetore të gjyqtarit.
Për këtë arsye, KPK i shpalli të gjitha deklaratat e pasurisë së gjyqtarit të sakta.
Pasuria e familjes së gjyqtarit është 10 fishuar që nga viti 2004 kur është bërë deklarimi i parë i pasurisë. Në vitin 2017, pasuria e familjes së gjyqtarit ka arritur në vlerën e 11,8 milionë lekëve.
Kjo pasuri konsiston në një apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë dhe dy apartamente të privatizuar në vitet 1993 e 1995 me sipërfaqe 103 dhe 76.8 metra katrorë.
Po ashtu, lidhur me vlerësimin profesional, 8 ankesa nga qytetarët janë regjistruar ndaj gjyqtarit Dvorani. Por KPK nuk i ka marrë parasysh as këto ankesa duke i quajtur ato të pabazuara në fakte.
Vendimi për gjyqtarin Dvorani pritet të merret zyrtarisht më 25 korrik, por duket se KPK ka vendosur kalimin e vetingut për të.