Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka rekomanduar Komisionerit Publik të ankimojë në Kolegjin e Apelimit vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.
Arsyet e ONM-së për këtë rekomandim nuk dihen ende.
Besim Hajdarmataj, ish-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u konfirmua në detyrë më 16 tetor 2019, me vendim të Brunilda Bekteshit, Suela Zhegut dhe Roland Ilias.
Siç kemi shkruar dhe më parë, KPK nuk konstatoi probleme në tre kriteret e rivlerësimit: pasurinë, aftësinë profesionale dhe figurën.
Në lidhje me pasurinë ILDKPI hartoi raport pozitiv për prokurorin Hajdarmataj. Gjithashtu dhe KPK mbas hetimit konkludoi se zoti Hajdarmataj justifikonte pasurinë.
Në lidhje me kriterin e figurës DSIK e konsideroi të përshtatshëm, ndërsa për profesionalitetin Prokuroria e Përgjitshme e vlerësoi me ‘shumë mirë’.