Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme do të zhvillojë sot seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa gjykuese e KPK-së do të përbëhet nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Suela Zhegu.
Zonja Leka është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi është kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Anila Leka e ka filluar karrierën si prokurore në vitin 2004. Përveç se në Prokurorinë e Përgjithshme, Zonja Leka ka punuar dhe si eksperte në Shkollën e Magjistraturës.
Sipas analizës së pasurisë, bërë nga BIRN, bazuar në deklaratat e pasurisë që nga viti 2004, burimi kryesor i të ardhurave për Anila Lekën është paga si prokurore.
Në vitin 2004, pasuria e Anila Lekës arrinte në 4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria është rritur në 10,4 milionë lekë, duke u rritur me rreth 2,6 herë.
Po sot KPK do të japë vendimin për rikonfirmimin në detyrë të gjykatëses së Kurbinit Marçela Shehu, seanca dëgjimore për të cilën u zhvillua më 1 qershor. Në përfundim të seancës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti shkelje në deklarimin e pasurisë, kontrollin e figurës apo aftësitë profesionale.
Rezultatet e vetingut deri më tani
Deri më tani, gjykatësja Vitore Tusha, Manjola Xhaxho dhe prokurorja Fatjona Memçaj kanë kaluar vetingun dhe janë konfirmuar në detyrë.
Besnik Ymeraj dha dorëheqjen, por u referua nga KPK në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo, Besnik trezhnjeva, Besa Nikëhasani, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha u shkarkuan për mosjustifikim të pasurisë.
Ndërkohë të tjerë gjykatës e prokurorë kanë dhënë dorëheqjen pa kaluar fare nën procesin e vetingut. Për më shumë për dorëheqjet dhe për anëtarët e sistemit të drejtësisë të larguar që pas miratimit të reformës në drejtësi mund të lexoni këtu dhe këtu.