Prokurori Arben Dollapaj do të përballet nesër me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.
Prokurori Dollapaj është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi kandidon për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Trupa që do të zhvillojë seancën me prokurorin përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.
Arben Dollapaj e ka nisur karrierën që në vitin 1993. Ka punuar për disa vite në prokurorinë e Tiranës, më pas deri në vitin 2016 ka qenë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Që prej vitit 2016 u transferua në Prokurorinë e Apelit Shkodër.
Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2003, familja e prokurorit Dollapaj kishte pasuri në vlerën e 900 mijë lekëve. Kjo pasuri konsistonte në 1/5-ën e një apartamenti dhe 300 mijë lekë kursime cash. Në fund të vitit 2017 pasuria e prokurorit arrin në vlerën e 21 milionë lekëve dhe konsiston në një shtëpi banimi në Selitë, me vlerë 9 milionë lekë, një shtëpi në Valbonë, 3.9 milionë lekë kursime cash dhe 128 mijë lekë kursime në bankë.
Burimi krysor i të ardhurave të familjes Dollapaj është paga e prokurorit (në masën 68 për qind) dhe paga e bashkëshortes (23 për qind).
Si ‘flamuj të kuq’ në deklaratat e prokurorit është vërejtur një hua prej 25 mijë eurosh, që prokurori Dollapaj mori në vitin 2010 për blerjen e një banese në Selitë të Tiranës, blerje e cila u realizua në vitin 2011. Huaja u shlye tërësisht në vitin 2012.
Dhuratat nga familjarët dhe vlerat e konsiderueshme të kursimeve në cash janë evidentuar gjithashtu si problematike. Gjatë periudhës 2003-2017, zoti Dollapaj ka marrë 9 mijë dollarë dhe 200 euro dhurata në cash, ndërkohë që gjendja e akumuluar e kursimeve cash rezulton të jetë rreth 3.9 milionë lekë në fund të vitit 2017.