Vetingu, prokurori Dollapaj përballet nesër me KPK-në

Vetingu, prokurori Dollapaj përballet nesër me KPK-në

Prokurori Arben Dollapaj do të përballet nesër me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.

Prokurori Dollapaj është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi kandidon për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Trupa që do të zhvillojë seancën me prokurorin përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.

Arben Dollapaj e ka nisur karrierën që në vitin 1993. Ka punuar për disa vite në prokurorinë e Tiranës, më pas deri në vitin 2016 ka qenë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Që prej vitit 2016 u transferua në Prokurorinë e Apelit Shkodër.

Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2003, familja e prokurorit Dollapaj kishte pasuri në vlerën e 900 mijë lekëve. Kjo pasuri konsistonte në 1/5-ën e një apartamenti dhe 300 mijë lekë kursime cash. Në fund të vitit 2017 pasuria e prokurorit arrin në vlerën e 21 milionë lekëve dhe konsiston në një shtëpi banimi në Selitë, me vlerë 9 milionë  lekë, një shtëpi në Valbonë, 3.9 milionë lekë kursime cash dhe 128 mijë lekë kursime në bankë.

Burimi krysor i të ardhurave të familjes Dollapaj është paga e prokurorit (në masën 68 për qind) dhe paga e bashkëshortes (23 për qind).

Si ‘flamuj të kuq’ në deklaratat e prokurorit është vërejtur një hua prej 25 mijë eurosh, që prokurori Dollapaj mori në vitin 2010 për blerjen e një banese në Selitë të Tiranës, blerje e cila u realizua në vitin 2011. Huaja u shlye tërësisht në vitin 2012.

Dhuratat nga familjarët dhe vlerat e konsiderueshme të kursimeve në cash janë evidentuar gjithashtu si problematike. Gjatë periudhës 2003-2017, zoti Dollapaj ka marrë 9 mijë dollarë dhe 200 euro dhurata në cash, ndërkohë që gjendja e akumuluar e kursimeve cash rezulton të jetë rreth 3.9 milionë lekë në fund të vitit 2017.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>