Pas një muaj pushim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rinisur sot punimet me prokurorin e Apelit Durrës Bujar Hotin. Trupa gjykuese, e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici, prezantoi gjetjet e hetimit të thelluar administrativ të KPK-së.
Prokurori Hoti ka në pronësi një apartament banimi 157 metër katrorë dhe shtesë 30 metër katrorë, në qytetin e Durrësit, një makinë me vlerë 6500 euro, një tokë arë me sipërfaqe 4 mijë metra katrorë në Spitallë, Durrës dhe një zyrë noteriale me sipërfaqë 41.3 metër katrorë me një shtesë prej 19.6 metra katrorë.
Sipas KPK-së, për sa i përket apartamentit, prokuroti Hoti ka kryer deklarim të një çmimi fiktiv shitjeje për këtë apartament. Ndërsa për sa i përket tokës në Spitallë, familja e Hotit është larguar nga Qerreti në Durrës që në vitin 1990 dhe sipas ligjit, nuk duhet të përfitonte më tokë.
Sipas KPK-së, prokurori nuk ka deklaruar që prej fillimit një shtesë të bërë në një apartament në pronësi të bashkëshortes. Edhe për këtë kontratë, Hoti rezulton se ka paraqitur të dhëna fiktive.
Po ashtu KPK raportoi se bashkëshortja e prokurorit ka udhëtuar në SHBA dhe Austri. Pagesat për këto udhëtime sipas KPK-së nuk mund të justifikohen me të ardhurat e familjes. Për këto udhëtime, Zoti Hoti tha se udhëtimin në SHBA të bashkëshortes e ka paguar motra e saj, dhe atë në Austri, dhoma e noterëve.
Lidhur me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar (DSIK) shkruan se prokurori Hoti nuk ka lidhje me eksponentë të krimit dhe është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.
Vendimi i KPK-së për Hotin do të jepet në ditët në vijim.
Prokurori Hoti është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pas Hotit, prokurorët e tjerë pjesë e listës prioritare të vetingut si kandidatë për KLP-në janë dhe Ramadan Troci, Shpëtim Kurti dhe Besnik Cani, por KPK ende nuk i ka bërë publike datat e seancave për secilin prej tyre.
Pas prokurorëve, dy magjistratët që do të përballen me KPK dhe që mbyllin listën prioritare të vetingut me 57 emra janë gjyqtari Kastriot Selita, anëtar i KED, dhe Marsida Xhaferllari, Inspektore e Lartë e Drejtësisë.