Prokurori i Apelit për Krimet e Rënda Bujar Sheshi do të zhvillojë nesër seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa dëgjimore e KPK-së përbëhet nga Pamela Qirko, Xhensila Pine dhe Genta Tafa.
Prokurori Sheshi e ka nisur karrierën në vitin 1994 si avokat. Në vitet 2003-2015, sheshi ka punuar si prokuror në prokurorinë pranë Gjyaktës së Lartë.
Në janar 2015, Presidenti Nishani dekretoi transferimin e prokurorit Bujar Sheshi në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda Tiranë.
Sipas analizës së pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2003 prokurori Sheshi deklaronte pasuri në vlerën e 500 mijë lekëve. Ai zotëronte edhe një apartament banimi në Tiranë, por që për shkak të përfitimit të pronës nga procesi i privatizimeve nuk rezulton të ketë vlerë financiare të deklaruar.
Në fund të vitit 2017, pasuria e familjes së prokurorit arrin në vlerën e 9,9 milionë lekëve dhe konsiston në 6,1 milionë lekë kursime në bankë, 2,4 milionë lekë kursime cash dhe automjete me vlerë 1,4 milionë lekë.
58 për qind e të ardhurave të familjes së Sheshit, kanë ardhur nga paga e prokurorit, 23 për qind nga pagat e familjarëve dhe 14.8 për qind nga statusi i bashkëshortes si ish-pronare.
Sipas BIRN, megjithëse prokurori e ka përfituar banesën nga procesi i legalizimit, prokurori ka ndërtuar një dhomë shtesë në vitin 1998, e legalizuar në vitin 2015, por e pa deklaruar në deklaratat e pasurisë.
Po ashtu, bashkëshortja e prokurorit Sheshi ka përfituar gjysmën e një shtëpie private me testament nga halla dhe gjysmën e një apartamenti të trashëguar nga prindërit. Edhe këto pasuri nuk janë përfshirë në deklaratat e pasurisë.