Prokurori i Prokurorisë Shkodër, Vatë Staka do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa që do të zhvillojë sot seancën dëgjimore me prokurorin Staka përbëhet nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja.
Prokurori Staka është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi kandidon për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Vatë Staka është prokurori i dytë nga Prokuroria Shkodër që përballet me vetingun. Më parë Besa Nikëhasani nuk e kaloi procesin e rivlerësimit dhe u shkarkua nga detyra.
Zoti Staka e ka nisur karrierën në Shkodër si prokuror i seksionit ushtarak e më pas ka kaluar prokuror në Prokurorinë e Shkodrës.
Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, prokurori, në vitin 2003, zotëronte pasuri në vlerën 280 mijë lekësh. Ndërsa në vitin 2016, pasuria e familjes së prokurorit është rritur me rreth 20 herë dhe ka arritur vlerën e 5,6 milionë lekëve.
Prokurori ka në pronësi një shtëpi të ndërtuar në vitin 1993, të deklaruar me vlerë 280 mijë lekë dhe likuiditete në bankë në vlerën e rreth 5,4 milionë lekëve.
Rreth 58 për qind e të ardhurave të familjes vjen nga paga e prokurorit, ndërsa rreth 40 për qind nga paga e bashkëshortes.