Vetingu, prokurori Xholi përballet me KPK

Vetingu, prokurori Xholi përballet me KPK

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Xholi u përball sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Prokurori Xholi ka punuar më herët në prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe që prej vitit 2013, punën në Prokurorinë e Përgjithshme. Aktualisht Xholi është dhe drejtor i Inspektimit, Burimeve Njerëzore dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas raportit të ILDKPI-së, Xholi ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, ndërsa nga hetimi administrativ i KPK-së, rezulton se prokurori ka disa pasaktësi në vetëdeklarimet e llogarive bankare.

Prokurori Xholi ka në pronësi një apartament të porositur në vitin 2004, një makinë, një tokë bujqësore në Lushje me sipërfaqe 22 metra katrorë dhe një llogari bankare me 2,5 milionë lekë.

Në lidhje me pastërtinë e figurës, DSIK e ka vlerësuar prokurorin të përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Vetë prokurori ka kërkuar konfirmimin në detyrë duke u shprehur:

“Kam hetuar disa nga krimet më të rënda të ndodhura në Shqipëri. Kam hetuar emra të njohur të botës së krimit. Kam kërkuar disa dënime me burg përjetë. Kam sekuestruar miliona euro pasuri të mafias. Kam hetuar bandën e Lushnjes, bandën e Durrësit, po ashtu dhe degë të Sacra Corona Unita. Kërkoj të vlerësoni objektivisht qëndrimin tim dhe kërkoj konfirmim në detyrë.”

Adnan Xholi njihet si prokurori që ka kërkuar arrestimin e ish-deputetit Mark Frroku, ka marrë në pyetje Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, ish-kryeministrin dhe deputetë të tjerë.

Vendimi për Xholin do të jepet në ditët në vijim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>