Prokuroria e Tiranës vendosi sot të mos nisë hetim penal ndaj ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj, i cili dha dorëheqjen përpara nisjes së vetingut.
Prokuroria rrëzoi kërkesën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte referuar dosjen e Besnik Imerajt për hetime. Sipas prokurorisë, në dosjen e Imerajt nuk kishte vepër penale.
Gjyqtari i Kushtetueses dha dorëheqjen më 31 janar 2018, pak ditë përpara se KPK të niste procesin e vetingut ndaj tij.
Edhe pse mandati i Imerajt përfundonte në vitin 2022, ai vendosi të dorëhiqej “për arsye personale”.
Pavarësisht dorëheqjes, KPK e pa të arsyeshme që dosjen e Imerajt, të dalë nga hetimi administrativ, ta dërgonte në prokurori.
Besnik Imeraj do të mbahet mend si një prej dy gjyqtarëve që votuan kundër ligjit të vetingut.
Ai gjithashtu ka qenë pjesë në trupat e gjykimit të çështjeve të rëndësishme si “Dosja e Ilir Metës”, “Dosja e Gërdecit”, “Dosja e rrugës Durrës-Kukës-Morinë”.