Pasuria e 68 gjyqtarëve e prokurorëve do të rihetohet pasi ka dyshime se gjatë hetimit të parë ka pasur mangësi të dokumenteve dhe fshehje të të dhënave të pronave.
Sipas informacioneve nga Drejtoria e Hipotekave, kryeregjistruesja e sapoemëruar Blerina Doracaj ka urdhëruar rifillimin e procesit të kontrollit të pasurive, veçanërisht atyre të paluajtëshme.
Drejtoria e Hipotekave do të formojë një grup pune, që përveçse plotësimit të dosjeve të mangëta të pronave të gjyqtarëve e prokurorëve, do të hetojë dhe përgjegjësit brenda zyrave të hipotekës.
Përveç punonjësve që kanë fshehur të dhënat për pronat e gjyqtarëve do të mbajnë përgjegjësi penale. Përveç tyre, përgjegjësi penale do të mbajnë dhe ata punonjës të hipotekave që kanë zvarritur procesin e verifikimit të pasurisë dhe kanë shkelur afatet e përcaktuara.
Grupi i punës pranë Drejtorisë së Hipotekave duhet të përfundojë procesin e rihetimit të pasurisë brenda datës 15 shtator.
Verifikimi i pasurisë është një nga tre hetimet që rreth 800 gjyqtarë e prokurorë do t’i nënshtrohen, bazuar në Ligjin e Vetingut. Dy aspektet e tjera që do të rivlerësohen janë lidhjet personale të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe aftësia profesionale.